Berisha njofton mbërritjen me ‘vizë’ përtej Atlantikut, kreu i PD poston pamjet zbarkimi në SHBA, por mbetet ende ‘non grata’

Pas pesë vitesh ‘ekzili’ për shkak të “Non gratës”, kryedemokrati Sali berisha arriti të marrë një vizë hyrje-daljeje për në SHBA dhe ka nisur ta quajë atë përsëri “vendin e lirisë”, pas një lufte të gjatë politike dhe diplomatike për shkak të sanksionit ndaj tij dhe familjes, që ende qëndron në faqen e DASH.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbërritur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke nisur vizitën e tij në SHBA, ku është pritur nga komuniteti shqiptar.
Në pamjet e publikuara nga lideri demokrat në rrjetet sociale, ai shfaqet në momentet e para pas mbërritjes, teksa pritet nga shqiptarë që i afrohen për ta përshëndetur dhe për të shkëmbyer momente me të.
“Përtej oqeanit, një pritje shqiptare, një moment mirënjohjeje”, shkruan Berisha, duke shoqëruar pamjet e mbërritjes me këtë mesazh.
Vizita e kryetarit të PD-së pritet të përfshijë një agjendë të ngjeshur takimesh gjatë qëndrimit të tij në Shtetet e Bashkuara, në një periudhë me rëndësi për zhvillimet politike në Shqipëri.