Sulmi ndaj familjes Jashari në Prekaz, Prokuroria Speciale e Kosovës merr nën akuzë 35 persona! Mes tyre edhe i tmerrshmi “Legija”

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj 35 të pandehurve për krime lufte në lagjen e Jasharëve në Prekaz.

Kryeprokurori i Speciales, Blerim Isufaj, në një konferencë për media të mbajtur të premten, ka thënë se aktakuza lidhet me vrasjen e civilëve në lagjen e Jasharëve.

“Rëndësia e kësaj aktakuze është e veçantë dhe për faktin se bëhet fjalë për aktakuzën e parë që lidhet me vrasjen e civilëve në lagjen e Jasharëve në Prekaz”, është shprehur Isufaj, duke thënë se tani i takon Gjykatës që ta vlerësojë aktakuzën dhe provave e paraqitura në të.

Isufaj ka thënë se në këtë rast është punuar me kujdes të shtuar me qëllim që pretendimet e ngritura të provohen para Gjykatës.

Sipas organit të akuzës, Millorad Ulemek, i njohur si “Legija” është urdhërdhënësi i sulmit ndaj familjes Jashari.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka arritur ta identifikojë atë si planifikuesin e gjithë sulmit.

“Këtë njësi të operacioneve speciale, e ka udhëhequr Milorad Ulemek, Legija i cili, atë që e thash më herët e ka pas për obligim dhe për detyrë dhe me kërkesën e tij speciale që ta sulmojë drejtpërdrejtë shtëpinë e Shaban Jasharit”, ka thënë prokurori special, Valdet Gashi.

Millorad Ulemek është dënuar në vitin 2007 lidhur me vrasjen e kryeministrit serb, Zoran Gjingjiq. Ai është i dënuar edhe për vrasjen e presidentit Ivan Stamboliq dhe opozitarit Vuk Drashkoviç.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT