“Më i dobët se kurrë”- Netanyahu: Përmbysja e regjimit në Iran nuk është e pamundur!

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi të enjten se përmbysja e regjimit në Iran është “e arritshme”, duke argumentuar se ai është më i dobët se kurrë në dritën e konfliktit që shpërtheu më 28 shkurt midis Teheranit, Uashingtonit dhe Tel Avivit.

Gjatë një aktiviteti me udhëheqësit ushtarakë, Netanyahu u shpreh se:

“Ne mund ta largojmë këtë kërcënim një herë e përgjithmonë, domethënë, ta rrëzojmë këtë regjim. Kjo është detyra qendrore që ende na pret, por është afër. Nuk është e pamundur. Është e arritshme.”

Ai shtoi se “regjimi aktualisht po lëkundet, është më i dobët se kurrë dhe po lufton për mbijetesën e tij.”

Deklaratat e Netanyahut vijnë ndërsa Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yisrael Katz, paralajmëroi se sanksionet ekonomike të SHBA-së ndaj Iranit kanë rezultuar efektive, por presioni mund ta shtyjë Teheranin të ndërmarrë hapa përshkallëzues.

“Ne shohim shenja se presioni i rëndë ekonomik nën të cilin ndodhen, si dhe frika nga një kryengritje popullore dhe rënia e regjimit, mund t’i shtyjnë ata të ndërmarrin hapa përshkallëzues,” tha Katz gjatë një ceremonie në ministrinë e tij.

Konflikti në Lindjen e Mesme shpërtheu më 28 shkurt me sulme nga SHBA dhe Izraeli ndaj Iranit, i cili u kundërpërgjigj duke kryer sulme në rajon dhe duke mbyllur Ngushticën e Hormuzit, jetike për furnizimet me energji.

Pas përpjekjeve diplomatike u arrit një armëpushim në prill, i ndjekur nga një memorandum mirëkuptimi në qershor për bisedime paqeje, por procesi dështoi.

Muajin e kaluar, Departamenti i Thesarit i SHBA-së njoftoi një seri të re sanksionesh që synojnë “mbytjen” e ekonomisë iraniane, ndërsa Forcat Ajrore amerikane rifilluan sulmet ndaj Iranit të dielën.

Katz paralajmëroi se çdo sulm iranian do të përballet me një kundërpërgjigje të fortë.

“Regjimi i Ajatollahut në Iran e di shumë mirë pse nuk e sulmon Izraelin, pasi ne i goditëm fort dy herë, shkatërruam programin e tyre bërthamor, eliminuam Ali Khamenein dhe shkaktuam dëme serioze në aftësitë e tyre strategjike.”

Ai shtoi se:

“Çdo sulm iranian ndaj Izraelit do ta çlirojë Izraelin nga çdo kufizim ekzistues. Ne do të godasim të gjithë infrastrukturën ushtarake dhe civile kombëtare të Iranit, përfshirë infrastrukturën e tij energjetike, dhe do ta kthejmë Iranin në Epokën e Gurit.”

Ministri i Mbrojtjes përsëriti se Izraeli është i përgatitur të reagojë “me forcë të madhe” ndaj çdo sulmi, veçanërisht gjatë festave hebraike që fillojnë në mesin e shtatorit.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT