Përplasja me Policinë te Kryeministria dhe Komisariati, Berisha u del në mbrojtje protestuesve dhe akuzon Ramën: Urdhëroi dhunën ndaj tyre!

Pas tensioneve të regjistruara mbrëmjen e së martës përpara Kryeministrisë, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar përmes një deklarate të publikuar në rrjetet sociale, ku dënoi atë që e cilësoi si “dhunë të ushtruar ndaj protestuesve”.

“Stop terrorit dhe dhunës të Padrinos ndaj protestuesve paqësor!”, shkruan Berisha në nisje të deklaratës.

Sipas kreut të PD-së, gjatë protestës kryeministri Edi Rama ka provokuar protestuesit nga godina e Kryeministrisë dhe më pas, sipas tij, ka urdhëruar ndërhyrjen e forcave të policisë.

Postimi i plotë:

“Deklaratë e Partisë Demokratike.

Stop terrorit dhe dhunës të Padrinos ndaj protestuesve paqësor!

Sonte Edi Rama provokoi rëndë protestuesit paqësor nga zyra e tij dhe urdhëroi narko-policinë t’i sulmonte ata pa asnjë motiv me shkopinj, shkelma, topa uji dhe mjete të tjera. Disa protestues u lënduan me plagë nga dhuna policore, të tjerë u morën forcërisht pa asnjë shkak në rajonin e policisë.

Partia Demokratike duke shprehur solidaritetin e saj me protestën rinore-qytetare, dënon me forcën më të madhe dhunën e egër të urdhëruar nga Padrino ndaj protestuesve dhe kërkon lirimin e menjëhershëm të personave të shoqëruar në polici”.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT