Temperaturat e larta, mjekja psikiatre: Ndikim te personat me çrregullime të humorit dhe bipolaritet

Temperaturat e larta dhe moti i pazakontë për këtë periudhë në qarkun e Korçës po ndikojnë dhe në gjendjen e shëndetit mendor. Specialistët vërejnë se rritja e temperaturave, ndryshimet e menjëhershme të motit dhe ekspozimi i zgjatur ndaj nxehtësisë mund të shoqërohen me shtim të ankthit, probleme me gjumin, lodhje dhe përkeqësim të simptomave te personat që vuajnë nga çrregullime të humorit dhe çrregullimi bipolar.

“Pagjumësia është faktori primar në zgjimin e simptomave psikiatrike, sidomos në çrregullimet e ankthit, të humorit, episodet maniakale, episodet psikotike, të cilat bëhen pjesë e urgjencave dhe e trajtimeve që ne bëjmë në përditshmëri. Më shqetësuese është kjo për personat që abuzojnë me lëndët, me alkoolin, me lëndët narkotike dhe këta bëjnë komorbiditet me problemet e shëndetit mendor”, tha Nikolina Bode, mjeke Psikiatre QKSHM, Korçë.

Bodes thonë se në këtë periudhë është vënë re dhe shtimi i rasteve që nuk janë trajtuar më herët për probleme të shëndetit mendor.

“Rastet janë pothuajse në të gjitha moshat. Më frekuente vihen re te mosha e tretë dhe personat e vetmuar, të rinjtë që konsumojnë lëndë, por dhe te adultët, të cilët vuajnë nga problemet e shëndetit mendor. Pra, kemi një shpërndarje në të gjitha grupmoshat, si të relapseve, por edhe të rasteve të reja”, tha ajo.

Nga problemet e shëndetit mendor vuajnë rreth 20% e popullatës.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT