Nisin aplikimet për banesa, 300 kredi me 0% interes për punonjësit e administratës

Punonjësve të administratës publike u është dhënë mundësia të aplikojnë për 300 kredi me interes 0 për blerje banese, proces i cili sapo ka nisur. Sipas drejtoreshës së strehimit në ministrinë e Ekonomisë Dardana Grabovaj, aplikimet do të kryhet nëpërmjet e-Albania dhe më pas do të shqyrtohen nga grupet e specializuara në 5 ministrit që përfitojnë kuotat e përcaktuara.

“Janë 70 kuota për Ministrinë e Brendshme, 70 kuota për Ministrinë e Mbrojtjes, 70 kuota për Ministrinë e Shëndetësisë dhe 20 kuota për Ministrinë e Drejtësisë, për Policinë e Burgjeve. Ndaj, unë ftoj të gjithë punonjësit e administratës publike të aplikojnë në sistemin e-Albania, në dritaren e posaçme për kredinë e lehtësuar”, u shpreh Grabovaj.

Për të përfituar nga skema, aplikantët duhet të mos kenë banesë në pronësi si dhe të jenë pjesë e administratës.

“Është vërtetimi që ti të mos kesh pronë në të gjithë Republikën e Shqipërisë, për vete dhe për të gjithë anëtarët e certifikatës familjare, të cilën ata disponojnë në momentin e aplikimit. Pra, vërtetimi që nuk ka pronë në Republikën e Shqipërisë duhet edhe për të miturit”, tha ajo.

Grabovaj sqaron se pas miratimit të aplikimit, përfituesit i lind e drejta të përzgjedhë shtëpinë ku financimi do të bëhet sipas çmimit të referencës. Ndërsa sipërfaqja e banesës që financohet do të përcaktohet në bazë të certifikatës familjare.

“Në momentin që shpalleni fitues dhe njoftimi ju vjen nëpërmjet sistemit e-Albania, te mesazhet, automatikisht ju lind e drejta që të dilni në treg, të gjeni shtëpinë e ëndrrave tuaja, për të cilën shteti do të jetë krahu juaj më i afërt”, theksoi Dardana Grabovaj.

Procesi i cili ka nisur në 27 gusht, do të jetë I hapur deri në 25 shtator 2026.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT