Gardianët ishin të informuar, si u kap me “presh në dorë” i afërmi i të dënuarit te “313”-ta: Drogën e futi në makaronat tub, para Policisë bëri të paditurin (EMRAT)

Detaje të reja kanë dalë në pah nga ngjarja e ndodhur ditën e sotme te “313”-ta, e cila mësohet se ishte ndarë në 17 porcione me kokainë dhe 13 porcione hashash. Gazetari Elton Qyno bën me dije se droga u fut nga familjari i të paraburgosurit dhe do i dorëzohej Oltion Allsanit.

Të njëjtat burime bëjnë me dije për gazetarin Elton Qyno se Asllani që nga muaji Gusht 2025, mbahet në masën e sigurisë “Arrest në burg”, pasi akuzohet për veprën penale “Mbajtje pa leje e të armëve dhe municioneve” dhe “Vrasjes në rrethana cilësuese” të mbetur në tentativë ndaj dy personave në Kombinat, me iniciale R. K. 38 vjeç, dhe Zh. K.

Policia e burgjeve kishte informacion paraprak se i paraburgosuri Oltion Asllani në bashkëpunim me njerëzit e tij, po tentonin të fusnin lëndë narkotike me qëllim shitjen e saj, brenda ambienteve të burgut. Referuar të dhënave të siguruara nga burimet, policët e burgut kanë qëndruar në gatishmëri duke ndjekur me kujdes lëvizjet e bëra nga të afërmit e Asllanit që do e vizitonin në burg.

Për rrjedhojë, ditën e sotme në momenti kur në ambientet e burgut është paraqitur i afërmi i Asllanit, shtetasi Seit Xhometa, i cili veç disa veshmbathjeve solli edhe disa kuti makaronash në formë tubi, Policia e burgjeve e ka ndaluar duke kryer kontrollet e nevojshme.

Policët kanë kontrolluar makaronat tub dhe brenda tyre kanë gjetur 17 porcione me lëndë narkotike kokainë dhe 13 porcione me lëndë narkotike hashash. Brenda pak minutash është bërë arrestimi në kushtet e flagrancës së shtetasit Seit Xhometa, që është dhe familjari i të paraburgosurit  Oltjon Asllanit.

Ndonëse u kap me drogë në ushqim, Xhometa në dëshminë e tij ka pretenduar se nuk ka pasur dijeni për prezencën e lëndës narkotike. Mirëpo, pavarësisht pretendimeve për pafajësi, Xhometa është vënë në pranga pasi akuzohet për veprën penale “Futje e lëndëve narkotike” në ambientet e burgut. Sakaq bëhet me dije se aktet hetimore tashmë do i kalojnë për shqyrtim prokurorisë së Tiranës.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT