DETAJE nga “TopSekreti” i celularit të Shehollit: Shqiptarët të përçahen, vendi të mbushet me xhami, sa më afër shkollave e qendrave

Detaje të reja janë publikuar nga dosja e hapur ndaj analistit Fatmir Shehollit i cili akuzohet për spiunazh në favor të BIA-s, ku mësohet se ka dalë në pah një plan veprimi përmes së cilit synohet destabilizimi i Kosovës dhe përçarja e shqiptarëve të vendit me pjesën e diasporës. Referuar aktakuzës së Prokurorisë Speciale, e cila është publikuar nga mediat vendase, dalin në pah objektivat e këtij plani për ndryshimin rrënjësor ndaj shtetësisë së Kosovës.
Sipas dokumentit të përcjellë mësohet se plani parashikonte përdorimin e fondeve nga ambasadat islamike në Beograd për të investuar masivisht në ndërtimin e xhamive si pranë autostradave, shkollave e qendrave tregtare, ndërsa synohej po ashtu dhe dyfishimi i tyre në fshatra. Gjithashtu, si pjesë e strategjisë parashikohej dhe ngritja e shkollave fetare (medreseve) në mbarë vendin, duke transportuar fëmijë e të rritur nga zona ku feja konsiderohej më primare se kombi, si Mitrovica, Vushtrria, Kaçaniku, Hani i Elezit, Dragashi dhe Prizreni.
Synimi kryesor i këtij plani raportohet se ishte krijimi i një klime ku qytetarët të ndjeheshin sikur jetojnë në një shtet të huaj, duke nxitur ikjen e rinisë ose orientimin e tyre drejt fesë. Objektivi përfundimtar ishte që “pas 20 vitesh Kosova të duket si Kandahari”. Projekti synonte që fuqitë perëndimore të ndryshonin qëndrimin ndaj Kosovës dhe të lejonin kthimin e saj nën juridiksionin e Serbisë. Më tej, plani parashikonte largimin e shqiptarëve drejt Turqisë përmes udhëheqësve fetarë dhe ofertave për punësim.
Sipas Prokurorisë, i njëjti dokument është dërguar nga Sheholli te një person i identifikuar me emrin “Viktor Makedonia”, me markimin “Confidential”. Prokuroria bën me dije se ky dokument paraqet një program të fshehtë politik e strategjik që synonte zgjerimin e ndikimit të radikalizmit islamik në Kosovë dhe rajon përmes figurave me ndikim publik.