Rama inspirohet nga Revolucioni në Bulevard, “Flamingo Albania” dritarja më e re ku qytetarët të ankohen për problemet e tyre, si do të funksionojë “Pasqyra Albania”

Qeveria po përgatit një mekanizëm të ri komunikimi me qytetarët, i konceptuar si një platformë e posaçme për adresimin dhe ndjekjen e problematikave që mbeten të pazgjidhura nga administrata. Bëhet fjalë për “Pasqyra Albania”, një sistem që synon të sjellë një mënyrë të re të trajtimit të ankesave dhe kërkesave të qytetarëve.
Platforma do të funksionojë përmes dy sektorëve kryesorë, “Flamingo Albania” dhe “Radar”, të cilët do të kenë role të ndryshme në procesin e adresimit të problematikave.
Mesa duket kreu i qeverisë, Edi Rama, është inspiruar nga “Revolucion i Flamingove” për emërtimin e kësaj “dritareje” të re në të cilën të gjithë qytetarët mund të depozitojnë shqetësimet e tyre.
Burime për mediat bëjnë me dije se “Flamingo Albania” do të shërbejë si pikë grumbullimi për problematikat e qytetarëve, veçanërisht për rastet kur kërkesat e tyre nuk kanë marrë zgjidhje nga administrata. Në këtë mënyrë, problematikat do të identifikohen dhe do t’u përcillen strukturave përgjegjëse për trajtim.
Në krah të saj, “Radar” do të jetë mekanizmi i gjurmimit të ankesave. Përmes këtij sistemi, qytetari do të mund të ndjekë në çdo moment statusin e kërkesës së tij dhe të ketë informacion mbi ecurinë e trajtimit të saj.
Synimi është që problematikat të marrin zgjidhje brenda një afati të shkurtër, me objektivin për t’i adresuar ato brenda dy javësh. Platforma pritet të krijojë një komunikim më të drejtpërdrejtë mes qeverisjes qendrore, ministrive, bashkive dhe drejtorive të përgjithshme, duke shmangur zvarritjen e përgjegjësive nga një institucion te tjetri.
Nisma e re rikthen në vëmendje edhe përvojën e mëparshme të qeverisë me portalin e Bashkëqeverisjes “Shqipëria që duam”, i prezantuar në vitin 2018 me synimin për t’u dhënë qytetarëve një kanal të drejtpërdrejtë për paraqitjen e ankesave dhe kërkesave ndaj institucioneve publike.
Lidhur me këtë paltformë të re, një ditë më parë foli edhe kryeministri Edi Rama. Pas takimit për gati shtatë orë me drejtuesit politikë dhek ryetarët e komisioneve, Rama e cilësoi “Pasqyrën Albania” si pjesë të një koncepti të ri për komunikimin e qeverisë me qytetarët, duke theksuar se synimi është që çdo kërkesë, shqetësim apo problem i adresuar nga qytetari të marrë një përgjigje dhe të ketë një përgjegjës institucional.
“Nga Pogradeci, kur dielli po perëndon mbi liqen, aty ku Lasgushi gjente frymëzimet e veta magjepsëse dhe aty ku ne u përpoqëm të mbledhim së bashku reflektimet e një periudhe pushimesh aktive, të lidhur me sezonin e ri politik, kemi diskutuar për “Besën”, kemi diskutuar për praninë besnike; kemi diskutuar për ekosistemin e ri të komunikimit të qeverisë, jo në kuptimin thjesht të komunikimit publik, por të komunikimit me qytetarin; kemi diskutuar edhe për pasqyrën unike, “Pasqyrë Albania”, ku qytetarët do të kenë të pranishme të gjitha institucionet dhe ku ambicia është që, më herët se vonë, të arrijmë pikën që çdo kërkesë, çdo shqetësim, çdo hall i qytetarit drejtuar institucioneve të jetë si një pako postale, statusi i së cilës ndiqet në kohë reale nga dërguesi dhe, nga ana tjetër, shteti, qeveria, institucionet ndjekin përgjegjësitë dhe çdo shkelje afati shihet me lupë”, tha Rama.