Deputetë të AAK zbrazin para zyrës së Kurtit thasë me qymyr: Nga terri energjetik, në terrin politik…

Deputetë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë derdhur në dyert e ndërtesës qeveritare në Kosovë, thasë me qymyr. Ky veprim është simbolikë e pakënaqësisë për blerjen e energjisë elektrike në Serbi, pavarësisht rezervave të mëdha të qymyrit.

Ata kanë lënë në hyrje edhe një pankartë, me mesazhin: “Kurti dhe LVV, nga terri energjetik, në terrin politik”. Deputeti i AAK-së, Burim Ramadani, tha se simbolika e qymyrit lidhet me potencialin energjetik të Kosovës, i cili, sipas tij, nuk po shfrytëzohet.

“Duam ta dërgojmë mesazhin se me Kurtin dhe Vetëvendosjen gjatë këtyre 6-7 viteve të fundit, Kosova nga një terr energjetik që e kanë mbajtur, po kalon në terr politik. Ajo që e kemi tepër të qartë është se mesazhi dhe simbolika e qymyrit të Kosovës është se Kosova edhe më tutje po fle mbi qymyr, por rryma nuk prodhohet këtu dhe një prej pikave kryesore të ofertës gjashtë pikëshe të Aleancës lidhet me termocentralin e ri të Kosovës që duhet të bëhet. Është e qartë që gjatë këtyre viteve, rreth 1 miliard euro janë blerë rrymë në Serbi e në vende të tjera, e prej kësaj ka fituar vetëm mafia energjetike. Në kohët e fundit po shohim se punëtorët të cilët e humbin jetën duke e nxjerr këtë qymyr për popullin e Kosovës, nuk ka përgjegjësi as politike as menaxheriale”, tha Ramadani.

Kjo protestë përpara godinës së kryeministrit në detyrë Albin Kurti, vjen në një kohë që Kosova ndodhet në krizë për shkak të mosmarrëveshjeve mes partive dhe kundërshtisë së politikave të Kurtit.

Deri dje, Kurtit i ishte “bllokuar” hyrja për në zyrë nga deptuetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), të cilët protestonin për mosvazhdimin e procesit për konstituimin e Kuvendit duke thënë se kryeministri aktual është ilegjitim.

Zgjedhjet e fundit në Kosovë u mbajtën me 7 qershor, rezultat që u dominua përsëri nga Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit, i cili mori 53 mandate. Rrjedhimisht ai ka nevojë për bashkim forcash me opozitën për t’i dhënë vendit presidentin e ti e për t’i dhënë fund krizës institucionale.

Duhen të paktën 61 për ta konstituuar Kuvendin dhe formuar Qeverinë e re. Për zgjedhjen e presidentit të Kosovës nevojitet prania e 80 deputetëve në sallën e Kuvendit me 120 vende që votimi të jetë i vlefshëm.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT