Pas largimit nga detyra, reagon Arben Cara: Zjarri nuk luftohet me lajme dhe fotografi

Ish-drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Zjarrfikës, Arben Cara, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale pas largimit të tij nga detyra në mes të gushtit, në një periudhë të shënuar nga zjarre të shumta në vend.
Në reagimin e tij, Cara ka deklaruar se vendimi i zëvendësministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari, për transferimin e kompetencave drejtuese është marrë brenda gjashtë minutash.
Cara ka kundërshtuar mënyrën se si, sipas tij, është vlerësuar puna e drejtimit të strukturave zjarrfikëse. Ai thekson se performanca e një drejtuesi nuk mund të matet vetëm përmes përparimit të flakëve në terren.
Sipas ish-drejtorit, ekipet zjarrfikëse nuk mund të urdhërohen të hyjnë në situata ku rrezikohet jeta e tyre, duke vënë në dukje vështirësitë me të cilat përballen efektivët gjatë ndërhyrjeve.
“Zjarri nuk luftohet me lajme dhe fotografi”, është shprehur Cara në reagimin e tij.
Ndërkohë, pas largimit të tij nga drejtimi i strukturave të mbrojtjes nga zjarri, Ministria e Punëve të Brendshme ka prezantuar Ervis Gjoshin si drejtuesin e komanduar të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit.