Zjarret në Shqipëri po i ndezin ‘armiqtë e huaj’? Flet ministri i Mbrojtjes

Ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi, në një intervistë për Klan News me moderatorin Besard Jacaj, komentoi situatën e zjarreve në vendin tonë.

I pyetur nëse ka ndonjë informacion që zjarret të jenë ndezur nga “armiq të huaj”, Nufi tha se ky është një detaj, që i takon Ministrisë së Brendshme. Ministri nënvizoi se Mbrojtja, me aq sa mundet, po bën maksimumin për të shuar flakët.

“Nuk e di nëse zjarret në Shqipëri po ndizen nga “armiqtë e huaj”. Ky detaj është për Policinë e Shtetit dhe për Ministrinë e Brendshme. Ne bëjmë të mundur që të jemi në vijë të parë të zjarrit dhe të mund të ndërhyjmë në kohë. Kemi pasur mjete ajrore, që janë gjendur në terren, sapo ka nisur zjarri. Në Krujë, forcat kanë qenë aty për shtatë minuta. Jemi në situatë tepër të vështirë sot, por forcat janë aty”, tha ai.

Më tej, ministri u shpreh se situata është kritike në Pukë, Mirditë dhe në Vlorë.

Muaji gusht ka qenë muaj i vështirë për të përballuar situatën. Tepër kritike paraqitet situata në Gojan të Pukës. Kanë ardhur në ndihmë edhe zjarrfikëse nga rrethet përqark. Situata e erës e ka përkeqësuar vatrën e zjarrit. Flakët janë parandaluar që të shkojnë dhe në banesa të tjera. Situata ka qenë e vështirë, duke shpëtuar edhe jetët e njerëzve. Situatë kritike është dhe në Dukat të Vlorës. 105 forca të FA kanë qenë aty, dy avionët Air Tractor kanë qenë gjithë ditën atje. Nga flakët janë përfshirë banesa, që nuk kanë qenë të banuara. Situata është menaxhuar mirë”, u shpreh Nufi.

Ministri theksoi se zjarrfikësit do të vlerësohen maksimalisht, qoftë edhe monetarisht, pasi ata janë heronj, që kanë rrezikuar jetën e tyre.

Efektivët në Milot kanë rrezikuar jetën, mbi ta kanë qenë shtyllat e tensionit të lartë. Kanë rrezikuar jetën edhe pilotët e Air Tractor. Pilotët kanë kovat e fundit, që përdor çdo forcë ajrore në botë. Kemi 5 mjete ajrore, kemi 2 Air Tractor. Mund të kemi kapacitete shtesë në 2027, 2026 ka qenë viti me kapacitete më të larta. Edhe lopatat apo mjetet bazike kanë funksione tepër të rëndësishme. Këta njerëz janë heronj dhe vlerësimi për ta është maksimal”, nënvizoi Nufi.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT