Richard Grenell kritika të ashpra ndaj Albin Kurtit: Ai nuk di të qeverisë, vetëm ankohet dhe krijon probleme

Ish-zyrtari amerikan Richard Grenell i është drejtuar me tone të ashpra Albin Kurtit duke thënë se ai është përgjegjës për krizën politike në Kosovë. A ka theksuar se Kurti është një politikan që vetëm di të ankohet dhe se krijon herë pas here bllokada.
Sipas Grenell është e dukshme që Kurti nuk di të qeverisë duke dështuar të luftojë korrupsionin.
“Situata politike në Kosovë është një krizë e krijuar nga Albin Kurti. Ai ka dështuar ta luftojë korrupsionin dhe po e vazhdon historinë e tij të gjatë të krijimit të bllokadave dhe barrierave sikur që ka bërë sa ka qenë në opozitë.
“Ai qartësisht nuk di si të qeverisë, është i destinuar të jetë në periferi duke u ankuar. Në fakt, ai është më i mirë për të drejtuar kritika nga margjinat sesa të udhëheqë një qeveri”, tha Grenell në përgjigjen me shkrim për Gazetën Express.
Në një intervistë dhënë për Gazetën Express Grenell u ndal edhe te figura e ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi.
Ish-zyrtari amerikan ka kërkuar publikisht lirimin e Thaçit që kur ai u dërgua në Hagë, deklaroi se Perëndimi dëshiron që ish-presidenti të kthehet në Kosovë. Gjatë intervistës Grenell tha se Thaçi duhet të rikthehet për të qeverisur Kosovën përsëri.
“Perëndimi do që ish-Presidenti Hashim Thaçi të lirohet dhe të kthehet që të ndihmojë për ta udhëhequr Kosovën përsëri. Besoj se Thaçi do të ketë një perspektivë dhe energji të ripërtërirë për popullin e Kosovës. Perëndimi nuk do të punojë më me Kurtin sepse ai vetëm ankohet dhe krijon bllokada”, tha Grenell.