Alvi Muhaxhiri humbi jetën në aksident, reagon gjimnazi Leonik Tomeo: Kujtimi dhe buzëqeshja e tij do të mbeten përherë në shkollën tonë

Aksidenti i rëndë në zonën e Manzës në Durrës, i cili mori jetën e tre personave, ka shokuar komunitetin dhe ka lënë pas një dhembje të madhe te të afërmit, shokët dhe njohësit e viktimave.
Në aksident humbën jetën Kleo Vrioni, 25 vjeç, bashkëshortja e tij me kombësi italiane, Sara Brugnatelli, 26 vjeçe, si dhe një adoleshent, Alvi Muhaxhiri, vetëm 15 vjeç.
Ndërkohë, institucioni arsimor ku i mituri ndiqte gjimnazin ka reaguar përmes një mesazhi të veçantë në rrjetet sociale, duke shprehur dhimbjen e madhe për humbjen e nxënësit të tij.
Në mesazhin e publikuar nga shkolla Leonik Tomeo, ku ndiqte gjimnazin 15-vjeçari, shkruhet se lajmi për ndarjen nga jeta e nxënësit të dashur u prit me dhimbje të madhe dhe hidhërim nga i gjithë stafi mësimor.
Reagimi i shkollës “Leonik Tomeo”
“Me hidhërim të thellë e zemër të thyer mësuam lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta të nxënësit tonë të dashur Alvi Muhaxhiri.
Ikja e tij kaq e shpejtë la një boshllëk të madh në bankat e shkollës sonë dhe në zemrat e të gjithë mësuesve e shokëve të tij.
Në këto momente të vështira, i shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjarëve. Zoti ju dhëntë forcë për të përballuar këtë dhimbje të papërshkrueshme.
Kujtimi dhe buzëqeshja e tij do të mbeten përherë të gjalla në shkollën tonë.”
U prehtë në paqe shpirti yt Alvi!