DETAJE nga aksidenti në Manzë, të rinjtë kishin festuar deri vonë te Gjiri i Lalzit, 16-vjeçari dhe Rejsi Vrioni vijojnë “luftën” me vdekjen te Trauma (DYSHIMET E POLICISË)

Dy të plagosurit e aksidentit të rëndë të regjistruar pak pas mesnatës në një rrugë dytësore në Manzë vijojnë të jenë në gjendje kritike për jetën. 26 vjeçari Rejsi Vrioni dhe 16-vjeçari Klevis Dervishi u transportuan me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku po marrin trajtim të specializuar.

Burime pranë spitalit bëjnë me dije se dy të rinjtë kanë pësuar fraktura të shumta dhe gjendja e tyre shëndetësore mbetet e rënduar. Mjekët po vijojnë përpjekjet intensive për stabilizimin e tyre, ndërsa orët në vijim konsiderohen vendimtare për ecurinë e gjendjes shëndetësore.

Aksidenti i rëndë ndodhi rreth orës 02:22, në një rrugë dytësore në Manzë. Automjeti tip BMW, me të cilin udhëtonin pesë të rinj, ka dalë nga rruga dhe është përplasur me forcë me një strukturë betoni. Përplasja ka qenë tepër e fortë, ndërsa automjeti është rrokullisur disa herë.

Tre persona humbën jetën në këtë aksident. Viktimë mbeti drejtuesi i automjetit, Kleo Vrioni, si dhe bashkëshortja e tij, Sara Brugentelli dhe 15-vjeçari Alvi Muhaxhiri.

Siç raportuam dhe më herët shoferi i mjetit dhe 26-vjeçarja italiane ishin martuar vetëm pak ditë më parë. Çifti ndodhej së bashku në automjet në momentin kur, sipas dyshimeve paraprake, drejtuesi ka humbur kontrollin e mjetit.

Të rinjtë dyshohet se po ktheheshin nga Gjiri i Lalzit, ku kishin qenë në një festë në një lokal. Pikërisht ky fakt ka ngritur edhe dyshimet e para se drejtuesi i automjetit, por edhe personat që ndodheshin në të, mund të kenë konsumuar alkool. Megjithatë, nëse drejtuesi ka qenë apo jo nën efektin e alkoolit në momentin e aksidentit pritet të përcaktohet vetëm nga analizat dhe ekspertizat përkatëse.

Në këtë aksident dyshohet se mund të jenë ndërthurur disa faktorë. Krahas mënyrës së rëndë se si ka ndodhur përplasja dhe dyshimeve për një shpejtësi shumë të lartë, në vëmendje të grupit hetimor është edhe infrastruktura e rrugës ku ndodhi aksidenti.

Bëhet fjalë për një aks rrugor dytësor në zonën e Manzës, ku sinjalistika dhe ndriçimi nuk janë në nivelet e duhura. Mungesa e ndriçimit gjatë orëve të natës mund të ketë ndikuar në kushtet e drejtimit, por nëse kjo ka pasur rol konkret në aksident mbetet për t’u përcaktuar nga ekspertiza.

Megjithatë, një nga pistat kryesore të hetimit mbetet shpejtësia me të cilën lëvizte automjeti. Përplasja e fortë, dalja e mjetit nga rruga dhe rrokullisja e tij disa herë janë ndër elementët që po analizohen nga ekspertët për të përcaktuar dinamikën e saktë të ngjarjes.

Grupi hetimor pritet të analizojë në detaje gjurmët në vendngjarje, gjendjen teknike të automjetit, kushtet e rrugës, shpejtësinë e lëvizjes, si dhe rezultatet e analizave toksikologjike, për të zbardhur nëse konsumimi i alkoolit ka qenë një tjetër faktor që ka ndikuar në aksident.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT