“Nuk di si të qeverisë”- Grenell kryqëzon Kurtin: Kriza në Kosovë e krijuar prej tij, Perëndimi nuk do të punojë më me të!

Richard Grenell, i dërguari presidencial për misione të posaçme i Presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe ish-i dërguari i posaçëm amerikan për dialogun Kosovë–Serbi, ka lëshuar akuza të forta ndaj Albin Kurtit, duke e bërë atë drejtpërdrejt përgjegjës për krizën politike dhe ngërçin institucional në Kosovë.

Në një përgjigje me shkrim për Gazetën Express, Grenell deklaroi se Kurti ka dështuar në qeverisje dhe në luftën kundër korrupsionit, ndërsa e akuzoi se po vazhdon të krijojë bllokada politike, njësoj si gjatë kohës kur ishte në opozitë.

“Situata politike në Kosovë është një krizë e krijuar nga Albin Kurti. Ai ka dështuar ta luftojë korrupsionin dhe po e vazhdon historinë e tij të gjatë të krijimit të bllokadave dhe barrierave, sikurse ka bërë kur ishte në opozitë. Ai qartësisht nuk di si të qeverisë”, deklaroi Grenell.

Sipas tij, Kurti është “më i mirë për të drejtuar kritika nga margjinat sesa për të udhëhequr një qeveri”.

Grenell foli gjithashtu për ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po gjykohet në Hagë. Ai përsëriti mbështetjen për lirimin e Thaçit dhe u shpreh se kthimi i tij në Kosovë do të ishte i mirëpritur nga Perëndimi.

“Perëndimi do që ish-presidenti Hashim Thaçi të lirohet dhe të kthehet që të ndihmojë për ta udhëhequr Kosovën përsëri. Besoj se Thaçi do të ketë një perspektivë dhe energji të ripërtërirë për popullin e Kosovës”, tha Grenell.

Ai shkoi më tej, duke pretenduar se vendet perëndimore nuk duan të vazhdojnë bashkëpunimin me Kurtin.

“Perëndimi nuk do të punojë më me Kurtin, sepse ai vetëm ankohet dhe krijon bllokada”, deklaroi Grenell.

Deklaratat vijnë në një moment kur Kosova vazhdon të përballet me ngërç politik, ndërsa procesi gjyqësor ndaj Thaçit dhe ish-drejtuesve të tjerë të UÇK-së në Dhomat e Specializuara në Hagë është drejt fazës përfundimtare.

 

Back to top button
LAJMET E FUNDIT