Paralajmëron Lamallari: Ata që sfidojnë ligjin, meritojnë përgjigjen më shembullore nga Policia e Shtetit

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka reaguar lidhur me respektimin e ligjit dhe garantimin e rendit publik, duke theksuar se mbrojtja e të drejtave të njeriut duhet të shkojë paralelisht me zbatimin e ligjit.
Përmes një deklarate, Lamallari u shpreh se balanca mes të drejtave të njeriut dhe rendit ligjor është në funksion të qytetarëve dhe mbrojtjes së shoqërisë.
“Ata që sfidojnë ligjin dhe linçojnë shërbëtorët e tij, meritojnë përgjigjen më shembullore nga Policia e Shtetit”, deklaroi ministri.
Lamallari theksoi kështu nevojën për një reagim të fortë institucional ndaj rasteve kur cenohet autoriteti i ligjit dhe i strukturave që kanë për detyrë garantimin e rendit dhe sigurisë publike.
Reagimi i Lamallarit vjen pas ngjarjes së djeshme (19 gusht) ku një turist portugez u qëllua me thikë për vdekje nga një 29-vjeçar ku 41 persona u shoqëruan pas ngjarjes dhe 11 u arrestuan duke zbuluar një zinxhir dështimesh në siguri dhe përfshirjen e stafit të shërbimit.
Po ashtu, pak ditë më parë një tjetër ngjarje e rëndë u shënua në Sarandë ku u dhunua shefi i Krimeve në qytet, Mateo Bakalli. Ky i fundit ishte përfshirë në një konflikt fizik me disa persona, ku si pasojë e sulmit pësoi dëmtime në trup dhe në fytyrë.