Lamallari prezanton drejtorin e komanduar të Mbrojtjes nga Zjarri, ish-nëndrejtori i Policisë Tiranë merr detyrën: Parandalimi, prioriteti kryesor

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka prezantuar sot (17 gusht) drejtorin e ri të komanduar të Drejtorisë e Përgjithshme të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin, Ervis Gjoshi.
Ai do të ushtrojë detyrën e drejtuesit të komanduar të këtij institucioni.
“Me një karrierë prej 18 vitesh në Policinë e Shtetit, me përvojë të gjatë në drejtimin e strukturave të sigurisë, si zëvendësdrejtor për Rendin dhe Sigurinë në DVP Tiranë dhe më herët si shef Komisariati në Dibër, ai sjell në këtë detyrë eksperiencën dhe përgjegjshmërinë e nevojshme për një strukturë kaq të rëndësishme. Rishikimi i kuadrit ligjor për MZSH dhe një program kombëtar për parandalimin e zjarrit mbeten prioritet për detyrën që i është besuar”, shprehet ministri Lamallari.
Në vijim të reagimit të tij, Lamallari thotë se qytetarët duhet të kenë një shërbim profesional, të organizuar, të gatshëm në çdo kohë dhe që adreson sfidat komplekse të emergjencave.
“Parandalimi është qëllimi madhor i qeverisë shqiptare dhe ajo çfarë presin më shumë qytetarët shqiptarë”, thekson Ministri i Punëve të Brendshme. Ervis Gjoshi merr detyrën pas dorëheqjes nga drejtimi i MZSH të Arben Carës.