Welcome to Penelopa

Nga Edison Ypi
Zoti Ambasador Wendt, Mirësevjen në Penelopa. Për banorët e Penelopës është normale çfarë thurin ditën e ç’thurin natën, çfarë bëjnë sot e ç’bëjnë nesër, çfarë hanë paradite e pështyjnë pasdite, çfarë puthin tani e kafshojnë pastaj, çfarë do vjellin pasnesër e kanë ngrënë pardje, çfarë neveritën para një jave e lëpijnë tani, çfarë rrejtën para një çasti e zënë hasha pas një sekonde.
Kur pas pak ditësh do jesh në krye të detyrës, do rrethohesh me servilë që do të rrëfejnë për bukuritë mahnitëse të Penelopës: malet, detet, lumenjtë, luginat, liqenet dhe plot mahnitje idilike, poetike. Lëri frekuentuesit e restoranteve që bukuritë natyrore i dinë nga Google në lirizmin e tyre të pështirë. Dëgjo mua prozaikun që bukuritë e vendit tim i shëtis me bukë me vete në makinë.
Kur të jesh në Penelopa, alias Shqipëria, mos ndaj nga vetja dy libra: Princi-n e Makiavelit dhe Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave.
Nga Makiaveli do qeshësh sa naiv ishte ndaj skemave konspirative penelopiane.
I dyti do të kredhë nëpër ca labirinte psiko-sociale dhe psiko-politike të skëterrshme, që do të ndihmojnë të orientohesh më shpejt dhe më drejt në xhunglën e egër ku do shërbesh për disa vjet.
Kij parasysh se mentaliteti i penelopëve nuk është i ngjashëm me të asnjë vendi tjetër. Ata, nga bebja në djep deri në buzë të varrit, të gjithë veprojnë, reagojnë, flasin, dëgjojnë, manovrojnë si mafiozë. Qejfi më i madh i peneloparëve nuk është dituria, shkenca, feja, arti, trimëria, lufta. Madje as ngrënia dhe as seksi. Por veçse rrena, spiunllëku, hajnia.
Banorët e Penelopës, peneloparët ose penelopistët, ose quaji si të duash, nuk u mbetet qejfi, penelopët pra, nuk kanë bërë kurrë luftë. Veçse kanë pranuar pushtimet. Deri edhe pushtimin e vetvetes dhe ndërrimin e besimit fetar gjatë pushtimit qindra-vjeçar. Gjatë shekujve kanë bërë atë që dinë të bëjnë më mirë: janë ngushtuar si territor, janë pakësuar si popullsi. Bashkë me kufijtë që ua kanë pikturuar, kanë pranuar edhe kalamajtë t’ua bëjnë të tjerët. E dëshmon laryshia e surretërve dhe matjet antropometrike. Aziatikët janë të verdhë. Nordikët të bardhë. Eskimot të shkurtër. Afrikanët të zinj. Penelopët të shumllojshëm.
Halabakët e kudondodhur në politikë, ekonomi, administratë etj., do mundohen të të kallin në skemat makiavelike të sherreve të brendshme për qëllime hajdutllëku. Ruaju. Mos bjer në kurthet e tyre. Mos nxirr nga zjarri gështenjat e tyre me duart e tua.
Në Penelopa, kudo dhe kurdo, të gjithë dhe gjatë gjithë kohës kërkojnë nga shteti t’u japë. Nuk është dëgjuar kurrë asnjë fjalë e vetme si t’i japësh shtetit. Mos u çudit me penelopët 40-vjeçarë që vazhdojnë të hanë e pinë si derra mish e raki, dhe thonë: “U plakëm, mosha bën të vetën”. Kur bëjnë 50: “E hëngrëm çahirin, s’jemi më për punë”.
Ruaju nga bukuritë e natyrës. Opari, Valbona, Thethi, Myzeqeja, Gramshi, Skrapari, kishat e vjetra, manastiret plot myshk, janë aq magjepsës sa s’është çudi që, pasi t’i shohësh, të mbetesh atje. Po të pëlqeu, rri. Por më mirë ik.
Mbaje veten, mos u lësho, mos fillo të kollitesh kur të konstatosh se në Penelopa, si rregull, politikanët dhe nëpunësit e lartë me para të vjedhura blejnë e shesin vila dhe pasuri nga ato që italianëve, francezëve, gjermanëve u duhet puna cfilitëse e disa brezave t’i kenë. Për shembull, Kryetari i Opozitës së Penelopës, njëkohësisht kryehajduti i saj, edhe pse Non Grata, me 10 milionë dollarë të vjedhura korruptoi administratën amerikane për të marrë 1 vizë për në SHBA. Ky cub që mbahet për Misionar është aq kriminel sa, pasi komprometoi të gjithë gjakun që është derdhur, të gjitha sakrificat dhe vuajtjet që janë duruar për të mbetur gjallë nga Diktatura gjakatare, ky humbës serial i zgjedhjeve, pa pikë turpi vazhdon të mos lëvizë nga vendi dhe të vjedhë.
Për të pasur një ide më të qartë se cili është i çmenduri zjarrvënës dhe popullvrasës që vazhdimisht justifikohet me rrena, vlen të kujtohet Rita Hayworth, e cila ankohej: “Të gjithë burrat që kam dashuruar kanë rënë të flenë me Gilda-n dhe janë zgjuar me mua.”
Edhe banditi i Penelopës, që nuk mbijeton duke luftuar, por duke u zvogëluar dhe pakësuar, habitet në mëngjes për ëndrrat me sy hapur që pa mbrëmë.
Penelopistët kujtojnë se mund të jenë politikanë dhe hajdutë, biznesmenë dhe hajdutë, shkencëtarë dhe hajdutë. Të lutem, Zoti Ambasador, bëj diçka që të fillojnë ta besojnë se, po qe hajdut, nuk mund të jesh asgjë tjetër veçse hajdut. E di që është e vështirë dhe pisk do ta kesh, por bëj sa të mundesh.
Sakën se thur vargje. Mos u bëj Ambasador-Poet si Alphonse de Lamartine, Pablo Neruda, Octavio Paz. Edhe dy vargje po thure, do të vënë nofkën Poet dhe nuk do të shqitet kurrë ajo dardhë me bishtin pas.
Ngule mirë në mendje: penelopët nuk bëjnë asgjë pa pasur frikë dhe pa rënë kamxhiku. E kanë mënyrë jetese të kalitur në shekuj. Sa i përket turpit, kur ke frikë, zor se ndjen turp. Bën mirë ta dish, gjithashtu, se penelopët nuk jetojnë dot pa spiunuar dhe pa u spiunuar. Edhe pa asnjë shkak. Edhe kot. Edhe për qejf. Është mënyra e tyre e të ndjerit gjallë.
Banori normal i Penelopës, ai që punon, lodhet, respekton gruan, ngjiz kalamaj, nuk shkon dot në Kishë e Xhami, nuk ngre dot një flamur, s’i thotë dot dy fjalë patriotike për Atdheun, Kombin. S’i lënë radhë mëkatarët e kudondodhur, hajdutët e mbështjellë me flamur.
Zoti Ambasador, këta që tek dilnin jashtë Penelopës s’guxonin ta shihnin as në ëndërr se ua çante barkun qeni i kufirit, i sharronte batareja e kalashnikovit, ua griste rreckat teli me gjimba, janë molepsur aq thellë me gjuhën e drunjtë të Diktaturës, sa edhe sot, pas pothuajse 40 vjetësh që s’kanë asnjë problem për të udhëtuar abroad, thonë “jashtë shtetit”.
Po s’konsiderove sa më sipër, rrugaçi në krye të opozitës do të thotë pa i lëvizur qerpiku: “E solli Soros”.
Odise, pas gjithë atyre luftërave, mirëardhsh te Penelopa që thur e ç’thur gjithçka duke të pritur Ty.