BE përgatit goditjen e radhës ndaj Rusisë, Kallas paralajmëron paketë të re sanksionesh: Lista zgjerohet me një të tretën

Bashkimi Evropian po përgatit një paketë të re dhe ambicioze sanksionesh ndaj Rusisë, me synimin për të rritur presionin ekonomik ndaj Moskës për luftën në Ukrainë.
Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, tha se lista e re e masave do të zgjerojë ndjeshëm numrin e subjekteve ruse të përfshira në regjimin e sanksioneve.
Sipas Kallas, numri i subjekteve ruse nën sanksione pritet të rritet me rreth një të tretën. “Po përgatitemi për një paketë ambicioze sanksionesh”, tha Kallas, duke theksuar se qëllimi i BE-së është të vazhdojë presionin ekonomik ndaj Rusisë.
Ajo deklaroi gjithashtu se sanksionet e vendosura nga Bashkimi Evropian dhe partnerët e tij i kanë kushtuar Rusisë më shumë se 1 trilion euro që nga nisja e luftës në Ukrainë.
Kallas theksoi se BE-ja synon të shtojë masat ndaj Rusisë dhe të kufizojë më tej burimet që Moska mund të përdorë për financimin e luftës.
Paketat e reja të sanksioneve pritet të përfshijnë masa ndaj subjekteve dhe individëve të lidhur me ekonominë ruse dhe sektorë që konsiderohen të rëndësishëm për aftësinë e Moskës për të vijuar luftën.