Festa e “Fjetjes së Shën Mërisë” bashkon besimtarët e krishterë, urime nga krerët e shtetit dhe politika! Kryepeshkopi Joan në meshën e veçantë në Imbros

Sot kalendari i krishterë ndalet në një nga ditët më të shenjta për besimtarët, Fjetja e Hyjlindëses së Tërëshenjtë Mari.

Një ditë që kujton fjetjen, ngjalljes dhe lavdërimin e Virgjëreshës, e cila njihet ndryshe si “Pashka e verës” apo “Pashka e vogël.”

Fortlumturia e Tij, Joan, Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, mori pjesë në meshën e veçantë të mbajtur në Kishën e Ungjillëzimit të Hyjlindëses, në fshatin malor Agriadi në ishullin e Imbros. Në këtë ceremoni, ishte edhe Tërëshenjtëria e Tij, Bartholomeu, Patriarku Ekumenik, informon “Report Tv”.

Për këtë festë, nuk munguan as urimet nga politika përmes rrjeteve sociale.

“Festë të bekuar”, uroi kryeministri Rama për besimtarët dhe ngjashëm me të, edhe presidenti Begaj.

Kishat dhe manastiret kushtuar Hyjlindëses Mari gjatë kësaj dite janë kthyer në vende lutjeje, adhurimi dhe pelegrinazhi.

Kjo ka ndodhur edhe në Manastirin e Zvërnecit ku besimtarë nga qytete të ndryshme të vendit, por edhe qytetarë e pushues ndezën qirinj dhe u lutën për paqe e mbarësi.

Edhe në Apoloni, Imzot Nikolla u kujtoi të gjithëve se nuk jemi vetëm në sfidat e përditshme ndërsa u bëri thirrje edhe politikanëve për të reflektuar e bërë më të mirën.

“Ajo na mbush me gëzim dhe shpresë se në sfidat dhe vështirësitë tona nuk jemi vetëm”, tha Imzot Nikolla.

Një nga traditat e kësaj feste është edhe marrja në shtëpi e degëve të dafinës, si shenjë bekimi.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT