Zjarret prekin sërish Spanjën, në rrezik manastiri me rëndësi historike

Një zjarr i fuqishëm pyjor në rajonin e Aragonit, në verilindje të Spanjës, ka detyruar 855 persona të largohen nga banesat e tyre, ndërsa flakët kanë përfshirë më shumë se 10 mijë hektarë tokë dhe po afrohen me një manastir të rëndësishëm historik.

Zjarri, i cili shpërtheu në zonën e Las Peñas de Riglos, vijon të jetë aktiv. Sipas qeverisë rajonale të Aragonit, për shkak të përhapjes së flakëve gjatë natës u evakuuan edhe katër komunitete të tjera, duke e çuar në 16 numrin e qyteteve dhe fshatrave të prekura nga urdhrat e evakuimit.

Shqetësimi kryesor i autoriteteve lidhet me manastirin e San Juan de la Peña-s, një kompleks mesjetar i ndërtuar nën një masiv shkëmbor dhe me rëndësi të veçantë për historinë e Aragonit.

Manastiri lidhet ngushtë me origjinën e Mbretërisë së Aragonës dhe ruan dëshmi të lidhura me disa prej sundimtarëve të saj të hershëm.

Edhe pse zjarri iu afrua kompleksit të enjten pa e përfshirë atë drejtpërdrejt, mbetjet e djegura që binin në zonën përreth detyruan autoritetet të zhvendosnin përkohësisht disa prej objekteve më të çmuara.

Ushtarë spanjollë, së bashku me zyrtarë të trashëgimisë kulturore dhe agjentë të mbrojtjes së natyrës, nxorën nga kompleksi mbetje njerëzore dhe objekte që lidhen me mbretërit e parë të Aragonës. Në mesin e materialeve të evakuuara ishin edhe piktura, relike dhe një kostum origjinal që i përkiste Kontit të Arandas.

Në terren janë angazhuar mbi 500 zjarrfikës dhe 35 mjete ajrore, ndërsa autoritetet spanjolle i kanë kërkuar edhe Francës të dërgojë avionë shtesë për të ndihmuar në përballimin e flakëve.

Zjarri është shfaqur në një periudhë të temperaturave jashtëzakonisht të larta në Spanjë. Sipas Agjencisë Meteorologjike Spanjolle, qershori dhe korriku i këtij viti kanë qenë së bashku periudha dymujore më e nxehtë që nga fillimi i regjistrimeve në vitin 1961. Temperaturat mesatare gjatë këtyre dy muajve ishin 2.9 gradë Celsius mbi mesataren e periudhës 1991-2020.

Temperaturat e larta, të shoqëruara me mungesën e reshjeve, kanë krijuar kushte të favorshme për përhapjen e zjarreve në zona të ndryshme të vendit.

Në fund të korrikut, një zjarr në provincën e Avilës dogji më shumë se 50 mijë hektarë tokë dhe ministri i Brendshëm e përshkroi atë si “më i madhi dhe më agresivi në historinë e Spanjës”. Ndërkohë, në fillim të të njëjtit muaj, një zjarr në provincën e Almerias shkaktoi 14 viktima.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT