Flakët përfshijnë Abazen në Krujë! Digjet masivi pyjor i Lofkënd-Ngraçijes në Mallakastër! Në hyrje të Komanit zjarret rrezikojnë banesat

Zjarret në lagjen Abaze të Krujës kanë vijuar me intensitet edhe gjatë natës, duke krijuar një situatë të vështirë për banorët dhe strukturat e emergjencave. Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, deklaroi se Forcat e Armatosura ndodhen në terren në mbështetje të operacionit për përballimin e flakëve, frenimin e përhapjes së zjarrit dhe mbrojtjen e banorëve dhe pronës.

Në kushtet e një situate jo të lehtë në lagjen Abaze në Krujë, Forcat tona të Armatosura janë në këta momente në terren në mbështetje të operacionit në përballimin e flakëve dhe mbrojtjen e banorëve dhe pronës”, u shpreh ministri.

Ministri deklaroi se efektivët e Forcave të Armatosura po punojnë së bashku me strukturat e tjera të emergjencave për të mbajtur situatën nën kontroll dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të flakëve. Ai theksoi se forcat janë angazhuar edhe në zona të tjera të vendit ku janë raportuar vatra zjarri, përfshirë Lurën, Mallakastrën, Vaun e Dejës, Mirditën dhe zonat e Priskës, Daiasit dhe Farkës.

Sipas tij, ndërhyrja e strukturave vendore të zjarrfikësve dhe Forcave të Armatosura ka bërë të mundur që situata në shkallë kombëtare të jetë nën menaxhim, pa rrezik të drejtpërdrejtë për jetën dhe banesat e qytetarëve.

Nderkohe një vatër zjarri në ekonominë pyjore Lofkënd-Ngraçije, në Bashkinë Mallakastër, vijon të jetë aktive, ndërsa në terren ka nisur operacioni për izolimin dhe frenimin e flakëve. Në aksion janë angazhuar 30 trupa të Forcave të Armatosura, 10 efektivë të Policisë Bashkiake, 15 punonjës të Shërbimeve Publike dhe 5 efektivë të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, të mbështetur nga një automjet zjarrfikës.

Ndërkohë, në një tjetër pjesë të vatrës, në drejtim të ekonomisë pyjore Gjinoqarë, po ndërhyjnë edhe strukturat e MZSH Patos, me dy automjete zjarrfikëse dhe 10 efektivë. Sipas informacionit nga terreni, zjarri vijon të zgjerojë perimetrin, por intensiteti i flakëve është më i ulët në orët e para të mëngjesit.

Forcat e angazhuara po punojnë për të kufizuar përhapjen e zjarrit dhe për të izoluar vatrat aktive. Situata po monitorohet në vazhdimësi, ndërsa ndërhyrja vijon në disa drejtime.

Gjithashtu raportohet se një zjarr masiv ka përfshirë zonën në fillim të rrugës së Komanit, në bashkinë Vau i Dejës, duke rrezikuar banesat përreth.

Situata paraqitet e vështirë, ndërsa flakët vijojnë të përhapen dhe po afrohen drejt zonave të banuara. Përballë përmasave të zjarrit, Emergjencat Civile të bashkisë Vau i Dejës kanë kërkuar mbështetje nga repartet zjarrfikëse të bashkive fqinje.

Në ndihmë të forcave në terren, nga Shkodra është nisur një repart zjarrfikës për t’iu bashkuar operacionit dhe për të ndihmuar në frenimin e flakëve.

Forcat në terren po punojnë për vënien nën kontroll të situatës dhe për mbrojtjen e banesave, ndërsa rreziku mbetet i lartë për shkak të përhapjes së zjarrit.

Ndërhyrja vijon në përpjekje për të izoluar vatrën dhe për të shmangur përhapjen e flakëve në drejtim të zonave të banuara.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT