Alarm i KUQ nga zjarret në Krujë, Policia nis evakuimin e banorëve, njerëzit me çanta nëpër duar braktisin shtëpitë e tyre (PAMJE)

Janë riaktivizuar pasditen e kësaj të mërkure disa nga vatrat e zjarrit në malin në afërsi të lagjes “Abaze” të Krujës. Flakët të favorizuara edhe nga erërat që po fryjnë në zonë, janë përhapur me shpejtësi duke rritur rrezikun për banesat që ndodhen pranë vatrave të zjarrit.

Për shkak të situatës së krijuar, autoritetet kanë nisur evakuimin e banorëve nga zonat më të rrezikuara. Forcat e Policisë kanë dalë në terren dhe po punojnë për largimin e banorëve nga banesat, veçanërisht në pjesën e lagjes që ndodhet pranë malit.

Në terren ndodhet prej ditësh edhe ish-kandidati për deputet i Partisë Demokratike, Aulon Kalaja, i cili ka bërë të ditur përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale se Policia ka nisur nxjerrjen e banorëve nga banesat.

Sipas tij, evakuimi po kryhet kryesisht në pjesën e majtë të lagjes “Abaze”, pranë malit, ku rreziku nga përhapja e zjarrit është më i madh.

“Policia po nxjerr banorët nga shtëpia dhe ka nxjerrë urdhër evakuimi për banesat që janë të fokusuara në këtë pjesë. Banesat që janë në pjesën e majtë dhe afër malit, në lagjen ‘Abaze’, po evakuohet zona, sepse ka një rrezik potencial nga banorët në këtë pjesë”, u shpreh Kalaja.

Ndërkohë, flakët vijojnë të favorizohen nga kushtet e erës, duke e bërë situatën të vështirë dhe dinamike. Forcat në terren po vijojnë ndërhyrjen për të kufizuar përhapjen e zjarrit dhe për të garantuar sigurinë e banorëve.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT