Ujë, shtyrje dhe akuza/ Kaos në Kuvendin e Kosovës, përplasje fizike dhe verbale mes deputetëve

Kuvendi i Kosovës është përfshirë të mërkurën nga tensione të forta, përplasje verbale dhe incidente fizike mes deputetëve të PDK-së, Aleancës dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Situata është përshkallëzuar në disa momente, me kapje, shtyrje, hedhje letrash, lagie me ujë dhe replika personale, ndërsa në sfond vijon ngërçi politik për konstituimin e Kuvendit.
Zhvillimet nisën gjatë aktiviteteve në ambientet e Kuvendit, ku deputetë të opozitës kundërshtuan pjesëmarrjen e deputetëve dhe figurave të Lëvizjes Vetëvendosje në aktivitetet me qytetarë. PDK-ja dhe Aleanca kërkuan që të vazhdojë seanca konstituive, duke e kthyer sallën dhe hapësirat e Kuvendit në një arenë të tensionuar përplasjesh politike.
Kur deputetët e LVV-së iu afruan qytetarëve për të komunikuar me ta, deputetët e PDK-së nisën të protestojnë dhe të brohorasin. Një nga incidentet më të forta ndodhi mes deputetit të PDK-së, Mërgim Lushtaku, dhe deputetit të LVV-së, Adnan Rrustemi.