Besniku i Ilir Metës i shkon në “shtëpi” kryebashkiakut dhe paralajmëron Edi Ramën: Mos guxo ta prekësh Fushë-Arrëzin

Deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka udhëtuar këtë të martë drejt Fushë-Arrëzit ku dhe ka zhvilluar një takim me kryebashkiakun Hil Curri, sa i përket propozimit të ri të socialistëve për shkrirjen e kësaj bashkie.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Blushi i ka dërguar një paralajmërim kreut të qeverisë, Edi Ramës duke i kërkuar që të : “mos guxo të prekësh Fushë-Arrëzin”.

Në të njëjtën linjë qëndrimi ka qenë edhe kryebashkiaku Curri, i cili sipas Blushit, i ka shprehur shqetësimin për këtë hartë të re territoriale e cila është hedhur në propozim nga mazhoranca.

“Kemi qenë dhe do të jemi të vendosur për ta mbrojtur Fushë-Arrëzin nga çdo përpjekje e Edi Ramës për ta lënë në harresë apo shumë më keq, për ta fshirë nga harta administrative e Shqipërisë dhe për ta shpopulluar”, thekson ndër të tjera deputeti.

Postimi i plotë:

Kënaqësi e veçantë të jem sot në Fushë-Arrëz, në një prej trevave më të bukura, më krenare dhe më të veçanta të veriut të Shqipërisë.

Një trevë me histori, tradita dhe kulturë të pasur, por mbi të gjitha me njerëz mikpritës, punëtorë e patriotë, që e duan vendlindjen dhe janë gati ta mbrojnë atë me dinjitet.

Fushë-Arrëzi nuk është thjesht një emër në hartë. Është histori, është identitet, është vendi i njerëzve që kanë lindur, jetuar dhe sakrifikuar këtu.

Kemi qenë dhe do të jemi të vendosur për ta mbrojtur Fushë-Arrëzin nga çdo përpjekje e Edi Ramës për ta lënë në harresë apo shumë më keq, për ta fshirë nga harta administrative e Shqipërisë dhe për ta shpopulluar.

Në takimin me kryetarin e Bashkisë, z. Hil Curri, ndamë të njëjtin shqetësim dhe të njëjtin qëndrim, Fushë-Arrëzi duhet të mbrohet, të zhvillohet dhe të ketë të ardhmen që meriton.

Vlerësoj punën e shkëlqyer të bërë deri më sot nga kryetari Curri dhe përkushtimin e tij me sakrifica për t’i shërbyer me përulësi komunitetit, për ta populluar e zhvilluar dhe për të mbajtur gjallë një zonë me tradita të çmuara dhe resurse të jashtëzakonshme.

Fushë-Arrëzi ka potencial të madh për zhvillim. Ka natyrë përrallore, pasuri të jashtëzakonshme, histori e tradita frymëzuese dhe mundësi reale për zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë lokale.

Ajo që i mungon nuk është potenciali. I mungojnë vëmendja, investimet dhe një vizion serioz për të ardhmen.

Dhe këtu mesazhi ynë është i qartë:

Edi Rama, mos guxo të prekësh Fushë-Arrëzin!

Askush nuk mund të vendosë për fatin e një komuniteti pa dëgjuar njerëzit e tij. Askush nuk mund ta trajtojë një trevë me histori, identitet dhe tradita si një vijë që fshihet me një firmë nga Tirana.

Banorët e Fushë-Arrëzit kanë të drejtë të vendosin për të ardhmen e vendlindjes dhe origjinës së tyre dhe ne do të jemi përherë në krah të tyre.

Fushë-Arrëzi nuk fshihet.

Fushë-Arrëzi mbrohet.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT