Lejuan ndërtimin e “gradaçelës” në Qeparo/ Shefat sfidojnë urdhrat e shtetit, shpallet në kërkim ish-kreu i Komisariatit të Himarës, dy të tjerë arrestohen

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka reaguar një ditë pasi drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, vendosi pezullimin e zinxhirit komandues të Komisariatit të Policisë Himarë, lidhur me rastin e ndërtimit të një objekti 5-katësh pa leje në Qeparo.
AMP bën me dije se vijon hetimet për të dokumentuar përgjegjësitë e punonjësve të Policisë së Shtetit të përfshirë në këtë rast, ndërsa nga veprimet hetimore të kryera deri më tani rezulton se nën hetim është vënë zinxhiri komandues i strukturave policore të Komisariatit të Policisë Himarë.
Në total katër efektivë po procedohen për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” sipas asaj që parashikon ligji shqiptar.
Bëhet fjalë për Emiljano Prengën, aktualisht Shef i Krimeve në Volum në Komisariatin e Policisë Divjakë, i cili më herët ka mbajtur të njëjtën detyrë në Komisariatin e Himarës, si dhe Klodian Petanin, Specialist i Hetimit të Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë, i cili më parë ka shërbyer në të njëjtën detyrë në Himarë. Të dy janë ndaluar.
Ndërkohë, Ferit Merkaj, aktualisht Shef i Seksionit të Trafiqeve në DVP Vlorë dhe ish-Shef i Komisariatit të Policisë Himarë, si dhe Redin Çaushaj, me detyrë SPZ në Komisariatin e Policisë Himarë, janë shpallur në kërkim pasi nuk u janë bindur urdhrave të strukturave për tu paraqitur.
“Në vijim të veprimeve procedurale, dy prej punonjësve të shpallur në kërkim janë paraqitur dhe janë ndaluar me iniciativë, ndërsa dy punonjësit e tjerë nuk janë gjetur në banesat e tyre dhe, pavarësisht njoftimeve ende nuk janë paraqitur pranë strukturave përkatëse. Për dy punonjësit e tjerë janë kryer procedurat për shpalljen e tyre në kërkim“, thuhet në njoftimin e bërë nga AMP.
Konkretisht masat janë marrë për:
Emiljano Prenga, me detyrë Shef i Krimeve në Volum, Komisariati i Policisë Divjakë, më parë Shef i Krimeve në Volum, Komisariati i Policisë Himarë, i ndaluar.
Klodian Petani, me detyrë Specialist i Hetimit të Krimeve, Komisariati i Policisë Vlorë, më parë Specialist i Hetimit të Krimeve, Komisariati i Policisë Himarë, i ndaluar.
Ferit Merkaj, me detyrë Shef i Seksionit të Trafiqeve, DVP Vlorë, më parë Shef i Komisariatit të Policisë Himarë, i shpallur në kërkim.
Redin Çaushaj, me detyrë SPZ, Komisariati i Policisë Himarë, i shpallur në kërkim.
Kujtojmë se bëhet fjalë për një ndërtesë me katër kate mbi tokë dhe një kat nëntokë, e cila sipas verifikimeve paraprake ka nisur të ndërtohet në dhjetor të vitit 2025. Pavarësisht zhvillimit të punimeve, nga ana e strukturave të Komisariatit të Policisë Himarë nuk janë marrë masat e nevojshme për parandalimin e ndërtimit dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave që po e kryenin atë.
Rasti u zbulua nga shërbimet e Policisë së Himarës dhe në flagrancë u arrestua pronari i objektit, Lulzim Bujari. Ndërkohë tre punonjës të IMT-së Himarë, përfshirë kryeinspektorin dhe dy inspektorë, u shpallën në kërkim për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Në terren ndërhyri IKMT qendrore, e cila kreu shembjen e objektit pa leje dhe paralajmëroi referimin e rastit në Prokurori.
Sipas verifikimeve të IKMT-së, pronari ka pretenduar se kishte pasur më herët një objekt dykatësh, me një kat nëntokë dhe se kishte aplikuar për legalizimin e tij. Megjithatë, gjatë një periudhe të shkurtë ndërtimi ishte zgjeruar me tre kate të tjera duke e çuar objektin në pesë kate në total.
Njoftimi i plotë i AMPS-së:
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore vijon veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të përgjegjësive të punonjësve të Policisë së Shtetit të përfshirë në këtë rast, ku konkretisht;
Nga hetimet e kryera deri më tani, rezulton se në këtë ngjarje është përfshirë zinxhiri komandues i strukturave policore të Komisariatit të Policisë Himarë, konkretisht janë katër punonjës të Policisë së Shtetit, ndaj të cilëve po procedohet për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, neni 248 i Kodit Penal.
• Emiljano Prenga, me detyrë Shef i Krimeve në Volum, Komisariati i Policisë Divjakë, më parë Shef i Krimeve në Volum, Komisariati i Policisë Himarë, i ndaluar.
• Klodian Petani, me detyrë Specialist i Hetimit të Krimeve, Komisariati i Policisë Vlorë, më parë Specialist i Hetimit të Krimeve, Komisariati i Policisë Himarë, i ndaluar.
• Ferit Merkaj, me detyrë Shef i Seksionit të Trafiqeve, DVP Vlorë, më parë Shef i Komisariatit të Policisë Himarë, i shpallur në kërkim.
• Redin Çaushaj, me detyrë SPZ, Komisariati i Policisë Himarë, i shpallur në kërkim.
Në vijim të veprimeve procedurale, dy prej punonjësve të shpallur në kërkim janë paraqitur dhe janë ndaluar me iniciativë, ndërsa dy punonjësit e tjerë nuk janë gjetur në banesat e tyre dhe, pavarësisht njoftimeve ende nuk janë paraqitur pranë strukturave përkatëse.
Për dy punonjësit e tjerë janë kryer procedurat për shpalljen e tyre në kërkim.
AMP vijon veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit dhe dokumentimin e përgjegjësive ligjore.