HARTA e zjarreve në Shqipëri, Ministria e Mbrojtjes bën bilancin, 25 vatra në 24 orë: Aksion me 365 forca dhe 4 helikopterë, 5 ende aktive

Rrezikshmëria e zjarreve në Shqipëri mbetet e lartë dhe orë pas ore shfaqen edhe vatra të reja.

Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 25 vatra zjarri në të gjithë vendin, pjesa më e madhe e të cilave janë shuar.

Aktualisht, 5 vatra mbeten aktive, ndërsa një zonë vijon të jetë nën monitorim.

Ministria e Mbrojtjes ka bërë  bilancin e situatës, ndërsa njofton se në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 37 automjete zjarrfikëse dhe 365 forca operacionale. Në mbështetje të tyre kanë vepruar edhe 158 efektivë të Forcave të Armatosura, me 10 mjete dhe 4 helikopterë të Forcës Ajrore.

Në Krujë vijon operacioni në zonat Abaze dhe Krastë–Halil. Ndërhyrja nga ajri me helikopterë ka ndihmuar në frenimin e përhapjes së flakëve dhe aktualisht nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Në Mallakastër, zjarret në Riban, Ngraçan, Panahor dhe Çyçen janë shuar. Ndërkohë, në Drenie, Patos, është evidentuar një riaktivizim i zjarrit në thellësi të pyllit dhe ekipet vijojnë ndërhyrjen për izolimin e tij.

Në Tiranë, në zonën e Priskës së Madhe, vijon puna për vënien nën kontroll të vatrës, e cila aktualisht nuk paraqet rrezik për zonat e banuara.

Në Përmet vijon operacioni në malin e Nëmerçkës, në një zonë të lartë pranë kufirit me Greqinë. Edhe kjo vatër nuk paraqet rrezik për zonat e banuara.

Ndërkohë, zjarret në Cikallesh, Vilëz, Kallmet të Vogël dhe Goraj–Budishë janë shuar plotësisht. Zona e Dajtit vijon të mbahet nën monitorim.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe strukturat e Mbrojtjes Civile mbeten në gatishmëri dhe vijojnë koordinimin e operacioneve në terren deri në neutralizimin e plotë të vatrave aktive.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT