VIDEO / Thirrjet për bojkot bien në vesh të shurdhër, mijëra fansa në koncertin e Kanye West

Protesta kombëtare, në ditën e 42 të tubimit qytetar kundër establishmentit politik dhe dorëheqjes së qeverisë, u mbajt për të treguar një forcë shifrash, në të njëjtën ditë që në Tiranë mbahej koncerti i reperit të mirënjohur amerikane Kanye West.

Organizatorët kishin ditë që bënin thirrje për të bojkotuar koncertin, për organizimin e të cilit akuzonin edhe qeverinë pse investoi 4 milionë euro, për të garantuar zhvillimin e tij. Por thirrja për bojkot dhe grumbullimi në një protestë kombëtare, që në raste të mëparshme është reflektuar me pjesëmarrje të lartë, dështoi.

Paralelisht, jo shumë larg, në kilometrin e parë të autostradës Tiranë-Durrës, mijëra të rinj, shqiptarë e të huaj, marshuan jo për protestë, por për t’iu bashkuar shfaqjes së këngëtarit amerikan në “Eagle Stadium”. Larg pritshmërive për protestën kombëtare, aktivisti Arbër Lleshi e sulmoi koncertin dhe vetë artistin me famë botërore.

Nga ana tjetër Kryeministri Edi Rama ka ndarë këtë mëngjes në 12 korrik pamje nga koncerti i këngëtarit me famë botërore Kanye West, që u mbajt mbrëmjen e kaluar në Tiranë.

Rama shprehet se stadiumi ku u mbajt eventi ishte një investim i shkëlqyer, jo vetëm për imazhin e Shqipërisë Turistike, por se ka impakt edhe në ekonominë e vendit.

Kujton sërish se mbi 80 kombësi u bënë bashkë duke ndjekur koncertin e reperit të njohur në kryeqytetin shqiptar.

“MIRËMËNGJES

dhe me videokartolinën e një mbrëmjeje magjike të Tiranës, ku dje 80 kombësi u bënë bashkë në koncertin kult të Kanye West, një investim i shkëlqyer jo thjesht për imazhin e Shqipërisë Turistike po edhe për impaktin pozitiv në ekonominë e kryeqytetit, ju uroj një të diel të bukur”, shkruan kreu i qeverisë.

Këngëtari me famë botërore Kanye West mbajti mbrëmë koncert në Eagle Stadium në Tiranë, ku u prit nga mijëra të rinj shqiptarë dhe të huaj.

Artisti performoi këngët e tij më të njohura në një atmnosferë të ndezur dhe plot gjallëri. Pak përpara zhvillimit të koncertit, West u prit në Kryeministri nga kreu i qeverisë Edi Rama.

Në lidhje me koncertin, kryeministri tha se pjesa më e madhe e parave është dhënë nga donatorë të huaj, teksa Shqipëria ka dhënë 4 milionë euro. Sipas tij, ekonomisë së vendit i kthehet një shumë tepër më e madhe sesa investimi.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT