Vangjel Dule sulmon Aleancën Kuq e Zi: Janë batakçinj
Kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, i cili ka mbajtur një konferencë shtypi për regjistrimin e popullsisë, ka sulmuar Aleancën Kuq e Zi, pasi është pyetur për reagimet mbi ngritjen e bustit të Aristotel Gumës në Himarë.
Dule ka thënë se në këto momente të turbullta politike, njerëz batakçinj janë duke përfituar, në mënyrë që të fitojnë politikisht.
“Ne nuk ndjejmë detyrimin më të vogël aq më tepër ndaj zotërinjve të tipit Xhufi se si do nderojmë ata që mendojmë ne se duhen nderuar. Jemi në momente të tensionuara për shkak të ngërçit politik, në kohëra të turbullta që janë të favorshme për spekulantë të politikës që mendojmë se mund të peshkojnë kështu vota. Është hera e fundit që edhe komentojmë dhe hymë në debat me individë e grupime që kanë shumë veçori të përbashkëta me kategorinë e batakçinjve politikë. Shqipëria ka nevojë për zëra racionalë”, ka thënë Dule pas pyetjes për Aristotel Gumën.
Ndërkohë, Dule shprehu bindjen për domosdoshmërinë e regjistrimit të popullsisë të parashikuar në shtator, por edhe ka shprehur rezervat e tij në lidhje me arritjen e standardeve evropiane të këtij procesi.
“Konstatojmë me keqardhje se me amendimet e fundit në ligjin mbi censusin abrogohet e drejta thelbësore e vetdeklarimit, penalizohet ajo dhe në të njëjtën kohë shkelet parimi i konfidencialitetit të të dhënave në census. Për rrjedhojë, një regjistrim i tillë nuk mund të jetë i standardeve evropiane, por një regjistrim hibrid ku qeveria nga njëra anë kërkon t’i hedhë hi në sy komunitetit ndërkombëtar e në fakt do kemi një regjistrim të ngjashëm me ato të zhvilluara në sistemin totalitar”, theksoi Dule.
Nga faqa ne facebook: Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut —> “Shperndaje”