Hetimet për “21 Janarin”, SPAK dërgon në SHBA kasetën origjinale të urdhrave nga komandantët e Gardës për ekspertizë

Prokuroria e Posaçme, në kuadër të hetimeve për dosjen “21 Janari”, ka dërguar për ekspertizë kasetën me materialin e komunikimeve radiofonike në kanalin e Gardës së Republikës më 21 janar 2011, gjatë demonstratës ku u vranë katër protestues të opozitës së asaj kohe.
Raportohet se SPAK e ka dërguar këtë kasetë para disa javësh, përmes një letërporosie, në një laborator të specializuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
SPAK kërkon të verifikohet autenticiteti i materialit dhe më pas të kryhet krahasimi i zërave që janë pjesë e audio-komunikimeve të zinxhirit komandues të Gardës.
Gjithashtu, bëhet me dije se në SHBA është dërguar kaseta origjinale e dorëzuar nga familjarët e të ndjerit Aleks Nika, i cili është një nga katër personat e vrarë më 21 janar.
Ndërkohë, Prokuroria e Posaçme është në pritje të përgjigjes nga SHBA për të vijuar me veprimet e tjera hetimore lidhur me këtë dosje të nxehtë.
Po ashtu, familjarët e katër viktimave kanë kërkuar nga SPAK zbardhjen e kësaj ngjarjeje dhe vënien para ligjit të autorëve.