“Merre fute n’ burg se ka blerë gruaja br*kë online”, Ylli Manjani për burgun e Veliajt: Trump kishte 34 akuza, nuk bëri asnjë ditë paraburgim, sot është president

Ylli Manjani ka folur për Euronews Albania mbi çështjen e Erion Veliajt, duke sjellë shembullin e Donald Trump-it, i cili u përball me 34 akuza, por nuk kaloi asnjë ditë në paraburgim dhe sot është president i SHBA-së. Ai tha se akuzat hetohen, por individi nuk izolohet automatikisht, sidomos kur nuk ka krime të lidhura drejtpërdrejt me detyrën. Manjani e cilëson të papranueshme që një kryebashkiak të futet në burg për akuza që nuk kanë lidhje me ushtrimin e funksionit publik, duke ironizuar rastin se “gruaja ka blerë brekë online”.
“Donald Trumpi, 34 akuza kishte zotëria. Nuk bëri asnjë ditë paraburgim. Sot është presidenti i Amerikës. Sa shembuj doni t’ju them? Më thoni kur, ku, çfarë ka bërë bota demokratike që të marrë dikë nga zyra e kryebashkiakut dhe ta fusë në burg. Nuk ka ndodhur, vetëm për krime që lidhen me detyrën. Por jo ta fusësh në burg se gruaja ka blerë brekë online.”- tha Manjani.
Manjani bëri një kritikë e drejtpërdrejtë ndaj mënyrës si përdoret paraburgimi në Shqipëri. Ai argumenton se gjykimi dhe hetimi mund të zhvillohen edhe kur individi është i lirë, pa qenë e nevojshme izolimi në burg.
“Ky lloj gjykimi bëhet edhe duke qenë i lirë, s’ka nevojë ta marrësh në paraburgim. Këtë po përpiqem të them, nëse del fajtor, atëherë është temë tjetër. Por ti e paraburgose, heto, heto, dhe në gjyq nxirre, le të vijë në sallën e gjyqit. Pra, kaq e thjeshtë është. Kështu është gjithandej ku flitet me standarde. Këtu tek ne flitet me ndëshkueshmëri, me atë që populli do gjak. Fut në burg me idenë që patjetër duhet të vdesë aty. Ka shumë njerëz që thonë: “Si të dalë nga burgu?” Por njeriu, kur hyn në burg, edhe nga dita e parë e kupton që nuk del më. Aty të shkatërron. Kjo është ndëshkueshmëria kolektive.”– tha ai.