“Nuk dua qokë, por proces demokratik” Braçe për Bashkinë e Tiranës: Disa gjëra nuk zgjidhen as me të lutur as me të thënë, PS e ka kaluar fazën që përjashtonte njerëzit që mendonin ndryshe

Në një intervistë për emisionin “Kjo Javë” në News24, deputeti socialist Erion Braçe foli për mundësinë e kandidimit të tij për Bashkinë e Tiranës. Ai kritikoi gjendjen e kryeqytetit dhe kërkoi një proces të hapur për zgjedhjen e kandidatit të socialistëve.

Deputeti socialist Erion Braçe foli edhe për sinjalizimet e kryeministrit lidhur me kandidaturën e Ogerta Manastirli për Bashkinë e Tiranës. Ai tha se nuk kërkon një njoftim apo një “qokë” për veten, por një proces të hapur që të përfshijë energjinë e Partisë Socialiste.

Nuk kërkoj një njoftim, nuk kërkoj një qokë, nuk kërkoj një favor për veten time. Pra që të njoftohet Erion Braçe është kandidati i PS-së. Unë po kërkoj një proces dhe një energjizim të të gjithë Partisë Socialiste përmes këtij procesi. Nëse më thotë jo, kjo nuk është proces, është njoftim. Unë po flas për proces. Nëse përmes këtij procesi jo vetëm unë, por edhe të tjerë shprehin interesin për të kandiduar në emër të PS-së për Bashkinë e Tiranës, atëherë patjetër bëhet një garë e drejtë, e ndershme, demokratike brenda Partisë Socialiste, por edhe jashtë saj me simpatizantët dhe gjithë të majtët. Mund të jetë cilido, jo vetëm unë, por me njoftim jo. Nuk ka gjasë që ta pranoj një njoftim.” tha Braçe.

Deputeti socialist Erion Braçe ka reaguar ndaj pyetjes nëse duhet përjashtuar Elisa Spiropali nga Partia Socialiste. Ai tha se partia e ka kaluar fazën kur përjashtonte njerëz për mendime të ndryshme dhe se secili ka të drejtë të shprehë pakënaqësitë e veta.

Unë mendoj që Partia Socialiste e ka kaluar fazën ku mund të përjashtojë njerëz për mendime ndryshe. Gjithsecili nga ne ka një moment që mbushet pa asnjë lloj problemi. Edhe unë jam mbushur me bashkinë e Tiranës. Këto gjëra nuk zgjidhen me të lutur, nuk zgjidhen as me të thënë. Por gjithmonë duhet të ruajmë thelbin dhe parimin. Nuk më pëlqeu ai statusi ‘më përjashto’,” tha Braçe.

Ai shtoi se e ka pritur mirë mbledhjen e parë të PS-së, ku ngriti shqetësime të qytetarëve të zakonshëm që presin më shumë nga qeveria. Por sipas tij, edhe pas tre mbledhjeve, problemet e ngritura nuk janë zgjidhur dhe mungon transparenca për detyrat e lëna.

“Kanë kaluar tre mbledhje prej asaj dite dhe nuk janë zgjidhur. Mbi të gjitha, mungon instrumenti që pas mbledhjes pasuese të raportohet për çfarë është bërë në mbledhjen më përpara,” u shpreh Braçe.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT