Politikanët në kafaz? Avokati: Standard i gabuar, të izolohen vetëm ata që janë të rrezikshëm

Politika përballë drejtësisë dhe mënyra se si trajtohen politikanët në sallën e gjyqit, duke u mbajtur në kafaz xhami, ishin një tjetër pikë diskutimi në studion e “Quo Vadis” të moderatores Pranvera Borakaj në Vizion Plus.

Avokati Ermal Yzeiraj, i cili është edhe përfaqësues i ish-ministrit Ilir Beqaj, foli për situatën e klientit të tij, të cilit së fundmi i është lejuar të qëndrojë i lirë brenda në sallën e gjyqit.

Yzeiraj tha se ky standard duhet të jetë për çdo qytetar dhe vetëm në raste të veçanta i akuzuari duhet të izolohet në kafaz.

Sipas tij, kafazi duhet të përdoret vetëm në rastet kur kemi të bëjmë me një të pandehur të rrezikshëm.

Pjesë nga biseda:

Borakaj: Politikanët në kafaz?

Yzeiraj: Standardi i përgjithshëm duhet të jetë për çdo qytetar; vetëm në raste përjashtimore dikush duhet të rrijë në kafaz, kur është rrezik.

Borakaj: Për vepra penale?

Yzeiraj: Jo, më shumë për cilësitë e personit. Rregulli bazë për çdo qytetar, pavarësisht çfarë background-i ke, është që ti duhet të rrish i lirë në sallë. Ne kemi të kundërtën: ti duhet të rrish në kafaz dhe vetëm nëse më bind se nuk je i rrezikshëm, duhet të rrish në sallë. Barrën e provës na e kanë lënë ne, ndërkohë që duhet ta ketë akuza.

Borakaj: A mund të kthehet në precedent rasti i zotit Beqaj?

Yzeiraj: Në rastin e zotit Beqaj ka standard të dyfishtë: për një gjyqtar është i rrezikshëm, për një tjetër jo. Shpresoj shumë që të gjithë gjyqtarët ta kthejnë në normalitet seancën. Nuk është normale që të krijohen procese të tilla, ku ne na krijohen vështirësi artificiale.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT