Emiratet e Bashkuara Arabe, prodhuesi i tretë më i madh i naftës, braktisin OPEC-un, Trump përgëzon vendimin

Emiratet e Bashkuara Arabe kanë njoftuar se do të largohen nga Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) duke filluar nga 1 maji, duke i dhënë fund një anëtarësimi që ka zgjatur për dekada. Ky vendim u cilësua si një goditje e rëndë për organizatën, e cila ka koordinuar prodhimin dhe çmimet e naftës për më shumë se 60 vite.
Në një deklaratë, Ministria e Energjisë e Abu Dhabit tha se pas një shqyrtimi të strategjisë kombëtare dhe aftësive të prodhimit, u vendos që dalja nga OPEC-u i shërben më së miri interesave të Emirateve. Megjithatë, ministria theksoi se vendi vlerëson bashkëpunimin afatgjatë me OPEC-un dhe shtetet anëtare të tij.
Vendimi vjen në një kohë tensionesh të larta në rajon, pasi Emiratet janë përballur me sulme të përsëritura nga Irani, gjithashtu anëtar i OPEC-ut, ndërsa mbyllja e Ngushticës së Hormuzit nga Teherani ka kufizuar ndjeshëm eksportet e naftës të Abu Dhabit.
Presidenti amerikan Donald Trump e mirëpriti ngrohtësisht këtë hap, duke e cilësuar si pozitiv për tregjet globale të energjisë. “Mendoj se është shumë mirë. Në fund të fundit është një gjë pozitive të ulen çmimet e benzinës, të ulen çmimet e naftës, të ulen të gjitha,” tha Trump, duke shtuar se brenda OPEC-ut ka probleme. Ai e përshkroi Presidentin e Emirateve, Mohammed bin Zayed Al Nahyan, si “shumë të zgjuar” dhe se vendimi i tij për të ndjekur rrugën e vet është “një gjë e mirë”.
Aktualisht, Emiratet ishin prodhuesi i tretë më i madh i naftës në OPEC, pas Arabisë Saudite dhe Irakut. Largimi i tyre pritet të ketë ndikim të ndjeshëm në ekuilibrat e tregut global të energjisë, veçanërisht në një periudhë kur çmimet e naftës janë rritur ndjeshëm pas përshkallëzimit të konfliktit mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit.