PAMJE TË RËNDA nga protesta, Klevis Balliu në gjendje të rëndë tërhiqet mes turmës nga Këlliçi, policit i shpërthen kapsolla në trup

Protesta e kësaj të premteje është përshkallëzuar, duke u shoqëruar me përplasje mes efektivëve të policisë dhe protestuesve të opozitës, përfshirë edhe deputetë të krahut të djathtë.
Ndryshe nga tubimet e mëparshme, këtë herë situata në terren ka qenë më e tensionuar, ndërsa burime nga vendngjarja bëjnë me dije se është përdorur një sasi e konsiderueshme spraji lotsjellës, duke shkaktuar probleme shëndetësore edhe te përfaqësuesit politikë.
Mes të prekurve ishte edhe ish-kandidati për deputet, Aulon Kalaja, i cili së bashku me deputetin Luçiano Boçi u dërguan me urgjencë drejt Spitalit të Traumës dhe më pas në QSUT për ndihmë mjekësore më të specializuar.
Po ashtu, në gjendje të rënduar shëndetësore është transportuar edhe Kelvis Balliu. Siç shihet edhe në pamjet nga vendngjarja, ai është ndihmuar nga dy kolegët e tij, Belind Këlliçi dhe Ivi Kaso, të cilët e kanë shoqëruar.
Ndërkohë, edhe Flamur Noka ka shfaqur probleme si pasojë e ekspozimit ndaj gazit lotsjellës, por ka refuzuar të largohet nga protesta, duke zgjedhur të vijojë qëndrimin në terren përkrah mbështetësve.
Sipas informacioneve paraprake, tre protestues kanë mbetur të plagosur, si dhe një efektiv policie. Në një reagim zyrtar, Policia bëri me dije se një punonjës i Forcës Kombëtare të Sigurisë është dëmtuar si pasojë e shpërthimit të një kapsolle në trup, gjatë sulmeve me bomba molotov dhe lëndë piroteknike nga një grup protestuesish. Efektivi po merr trajtim mjekësor në Spitalin Ushtarak.
“Deri tani, si pasojë e sulmit me bomba molotov dhe lëndë piroteknike nga një grup protestuesish, është dëmtuar një punonjës policie i Forcës Kombëtare të Sigurisë, të cilit i ka shpërthyer një kapsollë në trup. Punonjësi po merr ndihmë mjekësore në Spitalin Ushtarak”, njoftoi Policia.