Rezoluta çame e miratuar në 2004? Pëllumbi: Akuzat për mua një turp, e vërteta e votimit
Fatos Beja: Ju keni rezolutën e Parlamentit shqiptar të 26 marsit 2004, e cila është një akt që ekziston dhe nuk mund të injorohet. Unë jam i vetëdijshëm se aty ka një problem për ju si nismëtar, sepse nuk është qarkulluar publikisht për fakt të keq
Partia Demokratike ka befasuar dje opinionin kur disa muaj pas diskutimit të projekt-rezolutës për çështjen çame, ka thënë nëpërmjet Fatos Bejës se një rezolutë për këtë çështje është miratuar 9 vite më parë. I mbledhur dje për të disatën herë komisioni parlamentar i Politikës së Jashtme është vënë para një zhvillimi të papritur sa i përket vijimit të këtij debati, kur kryetari i komisionit, Fatos Beja u vuri përpara deputetëve një dokument parlamentar, të cilin ai e paraqiti si një rezolutë të miratuar në vitin 2004 gjatë qeverisjes së socialistëve dhe që sipas tij nuk ishte botuar në Fletoren Zyrtare. Ndaj ai ka kërkuar ndërprerjen e debatit për draft-rezolutën e propozuar nga dy deputetët çamë dhe atë të propozuar nga PS-ja, duke konsideruar të mirëqenë ekzistencën e një rezolute për çështjen çame në Parlamentin shqiptar. “Ju keni rezolutën e Parlamentit shqiptar të 26 marsit 2004, e cila është një akt që ekziston dhe nuk mund të injorohet. Unë jam i vetëdijshëm se aty ka një problem për ju si nismëtar, sepse nuk është qarkulluar publikisht për fat të keq. Duhet të shmangim diskutimet të cilat janë miratuar në Parlament”, – tha Fatos Beja duke u dhënë deputetëve një kopje të rezolutës dhe të votimit të kryer në Kuvend në seancën e 8 marsit 2004, ku për të kishin votuar pro 53 deputetë, ndërkohë që 44 kishin abstenuar, 4 kishin votuar kundër, ndërsa 7 deputetë të pranishëm në sallë nuk kishin votuar. Por kjo nuk është pranuar fillimisht nga kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, i cili duke iu referuar procesverbalit të seancës së asaj kohe deklaroi se kjo rezolutë rezulton e pamiratuar. “Kryetari i seancës thotë në 2004-ën nuk është miratuar. Nëse kjo është e miratuar, kjo duhet të botohej në Fletoren Zyrtare. Këtu ka diçka që këtu nuk e kuptoj”, – tha Idrizi. Por Beja këmbënguli se ajo që ka deklaruar kryetari i seancës, Servet Pëllumbi në atë kohë për këtë votim nuk ka rëndësi, pasi sipas tij, kreu i Parlamentit nuk përfaqëson vullnetin e Kuvendit, por është thjesht spiker i tij. “Kryetari i Parlamentit nuk përfaqëson vullnetin e deputetëve, nuk është Parlamenti në asnjë vend të botës, ndaj quhet spiker. Këtu ka një Kushtetutë që funksionin, Parlamenti është shprehur, deputetët janë shprehur dhe ky është një fakt që nuk mund të mohohet”, – tha Beja. Por argumenti i sjellë nga Beja duket se ka nevojë për certifikim, pasi tabulati i votimit që ai vetë ka shpërndarë dje në mbledhje së bashku me kopjen e rezolutës së votuar në 2004-ën vërteton atë që kryetari i atëhershëm i Kuvendit, Servet Pëllumbi ka deklaruar me fjalë, pra që ky dokument nuk miratohej. Kjo pasi po të shohim raportin e votave rezulton se rezoluta ka marrë vetëm 53 vota pro, 44 abstenime, 4 kundër dhe 7 deputetë të pranishëm në votim që nuk kanë votuar. Pra, nga 108 të pranishëm rezoluta ka marrë vetëm 53 vota, ose më pak se gjysma e të gjithë anëtarëve të pranishëm. Të paktën për standardin e kohës ku deputetët e pranishëm në sallë dhe që kishin aktivizuar kartat e tyre të votimit, pavarësisht nëse votonin apo jo, konsideroheshin si pjesë e tij dhe llogariteshin për të nxjerrë prezencën e përgjithshme në çdo votim. Standard ky që u hodh poshtë pas vitit 2010, kur Gjykata Kushtetuese vendosi që të konsiderojë të pranishëm apo kuorum për votim vetëm ata që shprehin votën e tyre. Një vendim ky që nuk ka efekte prapavepruese dhe që nuk e bën të miratuar votimin e Kuvendit në seancën e 8 prillit 2004 për rezolutën çame. Gjithsesi, në fund të mbledhjes së djeshme, PDIU duke marrë siguri nga kryetari Beja se miratimi quhej i kryer, deklaroi për mediat se, nëse kjo është e vërtetë dhe Kuvendi nuk e ka përcjellë këtë rezolutë për ta botuar në Fletoren Zyrtare, atëherë Servet Pëllumbi duhet të mbante përgjegjësi ligjore, ndërsa kanë kërkuar nga Kuvendi i tanishëm të shprehet për vlefshmërinë e këtij votimi.
Pëllumbi: Truk i PD dhe PDIU, rezoluta mori 53 vota nga 55 që duheshin
Ish-kryetari i Kuvendit, Servet Pëllumbi ka hedhur poshtë si të turpshme të gjitha pretendimet e ngritura nga Fatos Beja dhe përfaqësuesit e PDIU-së ndaj figurës së tij lidhur me votimin e projektrezolutës për zgjidhjen e çështjes çame në vitin 2004. Në një reagim për MAPO-n Pëllumbi ka bërë të ditur se ato që u thanë dje në komisionin e Jashtëm lidhur me këtë votim dhe ndaj figurës së tij në veçanti, nuk kanë asnjë bazë vërtetësie dhe janë pjesë të një loje të PD-së dhe PDIU-së për të mos miratuar rezolutën e paraqitur nga PS ditët e fundit. “Është një truk i PD-së dhe PDIU-së për të mos miratuar projekt-rezolutën e paraqitur para disa ditësh nga PS. Sa i përket projekt-rezolutës së vitit 2004, ajo nuk është miratuar, pasi nuk mori numrin e nevojshëm të votave. Nga 108 deputetë në sallë për atë votuan pro 53, 44 abstenuan, 4 votuan kundër dhe 7 nuk votuan megjithëse ishin të pranishëm. Pra, për t’u miratuar duheshin 50% plus 1 për qind, pra 54 plus 1 votë. Çka nuk u arrit në votim, pasi ajo mori vetëm 53 vota pro. Ndaj unë nuk mund ta shpallja të miratuar”, – u shpreh Pëllumbi. Ndërkohë që ai thekson se, në rast se këto dy forca politike do ta kishin seriozisht këtë çështje, ato mund të miratonin një rezolutë të re, pavarësisht debatit nëse votimi i 2004-ës ishte i vlefshëm apo jo. “Por edhe nëse do ishte miratuar, ne shohim që kjo çështje nuk ka lëvizur për t’u zgjidhur, situata ka mbetur e njëjtë. Atëherë, çfarë e pengon Parlamentin të miratojë një rezolutë të re? Sa rezoluta miraton Parlamenti Europian apo Asambleja e KIE-së për të njëjtën çështje. Ja, për Shqipërinë, sa rezoluta kanë miratuar thuajse çdo vit?” – pyeti më tej Pëllumbi.
Ai shtoi ndërkaq se “do të thosha se me këtë që pamë sot, edhe këta që përfaqësojnë interesat e komunitetit çam në politikë duket se janë shitur. Në fund të fundit, e dinë të gjithë që unë kam vendosur një standard të ri në drejtimin e Kuvendit dhe askush deri më sot nuk më ka akuzuar për gjëra të tilla”.
PDIU
PDIU: Topalli të shprehet për miratimin e rezolutës
Nisur pikërisht nga fakti se kryetari i atëhershëm i Kuvendit, Servet Pëllumbi e ka konsideruar të rrëzuar projekt-rezolutën e paraqitur për votim në Kuvend, PDIU nisur edhe nga garancitë që dha kreu i komisionit, Beja për vlefshmërinë e tij, ka kërkuar zyrtarisht Jozefina Topallin që të shprehet nëse ky votim quhet i rregullt apo jo. Në rast se po, ata i kanë kërkuar Kuvendit që ta kalojë këtë dokument për botim zyrtar dhe që ai të jetë një udhërrëfyes për politikën tonë të jashtme dhe për sjelljen e institucioneve tona shtetërore në raport me faktorin grek apo në përgjithësi për atë ndërkombëtar. “Dy deputetët, Idrizi dhe Tahiri i dërguan një shkresë Kryesisë së Parlamentit, ku i kërkojnë të shprehet zyrtarisht dhe pa vonesë në lidhje me miratimin ose jo të rezolutës në 8 prill 2004 dhe t’i japë asaj rezolute fuqi të plotë ligjore duke e botuar në Fletoren Zyrtare”, – thuhet në një deklaratë të shpërndarë dje për mediat nga zyra e shtypit e PDIU-t. Me anë të kësaj deklarate, PDIU kërkon të distancohet nga një lojë e mundshme e PD-së me votimin e rezolutës së 2004-ës, duke theksuar se “në mbledhjen e komisionit të Jashtëm, për çudinë e të gjithëve, kryetari i këtij komisioni, Fatos Beja paraqiti si të miratuar tekstin e një rezolute që Kuvendi e kishte marrë në shqyrtim në 8 prill 2004. Bëhet fjalë për atë tekst, për miratimin e të cilit Shoqata Çamëria kishte organizuar një protestë që përfundoi në mënyrë të dhunshme nga forcat e policisë. Sipas zotit Beja, ky tekst, i cili kurrë nuk u bë publik në Fletoren Zyrtare, gjendej në arkivin e Kuvendit. Duke replikuar në lidhje me këtë fakt të ri, Idrizi shprehu habinë sesi një dokument kaq i rëndësishëm të mund të fshihej dhe të mos botohej në Fletoren Zyrtare”.
–^^^ Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.