Janullatos: E vërteta e kishës së Përmetit. Më sulmojnë nacionalistët shqiptarë, por edhe ata grekë
Kryepeshkopi ortodoks, Anastas Janullatos, përmes një shkrimi në GSH, sqaron të vërtetën e përplasjeve në Përmet.
Ai i kundërpërgjigjet edhe deklaratës së historianit Kristo Frashëri, që shkruan se trualli për të cilin debatohet i përket shtëpisë së Kulturës dhe jo kishës së Shën Mërisë.
“Hirësia e tij, Janullatos, kërkon medoemos që Shtëpia e Kulturës në Përmet të kthehet në kishë, sepse në një cep të tij ndodhet trualli i Kishës së dikurshme të Shën Mërisë, të cilën perëndia e kishte kthyer në truall të shenjtë. Shikoni djallëzinë: për 30 m2 kërkon të marrë 600 m2 dhe për një gërmadhë, të marrë një pallat modern”, shkruante Frashëri.
Por sipas Janullatos kjo është një akuzë e gënjeshtërt.
“Nuk e kam menduar kurrë diçka të tillë. Nga ana tjetër, nuk ekziston dilemë midis kishës dhe shtëpisë së kulturës. Që të dyja mund ta pasurojnë Përmetin nga ana shpirtërore. E kemi qartësuar në mënyrë të përsëritur se kisha është e predispozuar të kontribuojë ekonomikisht në ngritjen e shtëpisë kulturore të Përmetit, natyrisht me emrin Naim Frashëri. Por për Kishën Ortodokse, kishat, në të cilat kryhej liturgjia hyjnore për shekuj të tërë, janë vende të shenjta. Dhe në këtë pikë mbështes ankesat dhe protestat e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë ndaj shtetit shqiptar”, shkruan Janullatos.
Sipas tij, nuk është e vërtetë se kisha ka në zotërim vetëm një hapësirë prej 25 m2.
“Në të vërtetë është e njohur për të gjithë nga fotot e ndryshme dhe skicat arkitektonike, mbi bazën e të cilave u transformua ndërtesa, por edhe nga muret që ekzistojnë edhe sot nga kisha e vjetër, se bëhet fjalë për një ndërtesë me përmasa 20×14. Madje kishës i përket jo vetëm pjesa ku u bë shtëpia e kulturës, por i gjithë territori përreth, sot lulishte, me një sipërfaqe prej 6186 m2, e gjitha e dokumentuar. Personi që punoi planin e shndërrimit të kishës së të Tërëshenjtës së Pazarit të Përmetit në shtëpi kulture në vitet 1960- ‘61, znj.Vasilika Cicko, në një relacion të sajin shënon pas kontrollit të aftësisë mbajtëse të ndërtesës ekzistuese, u konkludua se muret perimetrale të saj ishin në gjendje statike të mirë dhe të afta për të përballuar ngarkesat që ato do të përballonin edhe për këtë arsye ato u ruajtën të paprekura. Por, kryesorja në këtë çështje nuk është madhësia, por shenjtëria e kishës në fjalë, e cila i takon trashëgimisë kulturore të Shqipërisë nga shekulli i 17-të”, shkruan ai.
Pyetjes së Frashërit se përse nuk e kërkuan diçka të ngjashme në Tiranë, Janullatos përgjigjet: “Por këtu nuk kishte ngelur asnjë gjurmë e kishës së vjetër dhe në truallin e saj u ndërtua Tirana International Hotel me 15 kate. Në fund fare, qeveria tregoi mirëkuptim dhe na dha truallin, mbi të cilin u ndërtua një kishë nga ana estetike e shkëlqyer dhe origjinale, pranë së cilës u përkujdesëm të ndodhet edhe kompleksi modern i qendrës kulturore”.
Për sa i’u përket akuzave se Janullatos është grek jo vetëm nga kombësia , por edhe nga ideologjia, ai shkruan: “Por realiteti e përgënjeshtron në mënyrë absolute. Qarqet ekstremiste nacionaliste të Greqisë, në mënyrë të përsëritur sulmojnë kryepeshkopin Anastas. Nga ana tjetër, qarqe nacionaliste ekstremiste të Shqipërisë e akuzojnë për veprime antishqiptare. Se çfarë është dikush në të vërtetë, këtë e tregojnë veprat dhe shkrimet e tij. Kanë qarkulluar dhjetëra libra e qindra artikuj të mi në dymbëdhjetë gjuhë të ndryshme. Le të kërkojë z. Frashëri dhe grupi që e ndihmon për të zbuluar ndonjë notë nacionaliste. I izoluar në dhomën e tij të punës dhe librat e tij, nuk e di faktin se organizma ndërkombëtarë, siç është Këshilli Botëror i Kishave, Konferenca e Kishave Evropiane apo Konferenca Ndërfetare e Feve për Paqen, janë shumë të vëmendshëm dhe nuk zgjedhin kurrë zëvendës-presidentë, presidentë, presidentë nderi, njerëz për të cilët ekziston edhe dyshimi më i vogël se kanë mentalitete nacionaliste ekstreme. Ashtu si zoti Frashëri nuk e pa flakjen e ungjillit dhe të enëve të shenjta si mbeturina në makinën e plehrave të Përmetit, po kështu nuk i ka parë kishat e reja madhështore në Korçë, Fier, Berat, Durrës, Sarandë, Gjirokastër; gjithsej janë ndërtuar mbi 150 të tilla; mbi 160 kisha të vjetra që janë rindërtuar, 60 monumente kombëtare kulturore të restauruara. Apo e konsideron “sjellje dhe veprimtari antishqiptare” p.sh. ngritjen e qendrës moderne diagnostike “Ungjillizimi” në Tiranë, ku në 12 vitet e fundit u ka shërbyer 1.400.000 personave, pavarësisht përkatësisë fetare,” shkruan ndër të tjera Janullatos.
Sipas tij, në Përmet ekziston nga viti 2010 një Qendër Kulturore Multifunksionale moderne dhe se “gjatë gjithë këtyre javëve ekzistenca e saj u fsheh nga të gjitha palët dhe u përsërit akuza e gënjeshtërt se Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, nuk do që të ketë qendër kulturore në Përmet”.
–^^^ Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.