Vrasësi i Liridonës tha se ai e dinte për krimin, reagon ashpër Behgjet Pacolli: Njerëz të këqij që të kthehen me pabesi sapo ndalet dora që i ndihmonte

Behgjet Pacolli, ka reaguar pas përmendjes së emrit të tij nga i akuzuari për vrasjen e Liridona Ademajt, Granit Plava. Ky i fundit, gjatë dëshmisë së dhënë në gjykatë, ka pretenduar se Naim Murseli i kishte siguruar mbrojtje përmes emrave të lartë shtetërorë, duke përmendur edhe Pacollin, dhe se falë këtij pushteti nuk do të qëndronte në burg më shumë se dy vjet.

Pacolli e ka cilësuar këtë përfshirje të emrit të tij si të pavërtetë dhe të papranueshme. Ai ka theksuar se është distancuar prej kohësh nga çdo njeri dhe rrugë që nuk e përfaqëson, duke shtuar se ndihma që mund t’i ketë dhënë dikujt dikur ka qenë thjesht njerëzore, por zgjedhjet e mëvonshme i përkasin vetëm atij personi.

Në reagimin e tij, Pacolli ka theksuar se askush nuk ka të drejtë ta përdorë emrin e tij si alibi, mbrojtje apo për larje imazhi. Ai ka deklaruar se heshtja e tij ka qenë nga dinjiteti, jo nga frika, dhe se nuk do të lejojë që emri i tij të përdoret për të fshehur të vërtetën.

Ky reagim vjen pas dëshmive tronditëse të Granit Plavës, i cili akuzon Naim Murselin si personin që i ka premtuar mbrojtje përmes lidhjeve të larta politike. Pacolli ka mohuar kategorikisht çdo përfshirje, duke e cilësuar këtë si një tentativë për të manipuluar drejtësinë dhe opinionin publik.

Reagimi i plotë

Njerëzit më të rrezikshëm nuk janë gjithmonë ata që bota i njeh si të këqij; shpesh janë ata që i ke ndihmuar më së shumti, e që, sapo ua ndal dorën, kthehen kundër teje me helm, përgojim dhe pabesi.

Ata harrojnë të mirat që kanë marrë, harrojnë dorën që i ka mbajtur dhe fjalën që i ka mbrojtur. Dhe kur nuk munden më ta mbajnë peshën e zgjedhjeve të veta, kërkojnë të shpëtojnë duke përmendur emra që nuk u përkasin më jetës së tyre. Kjo nuk është forcë. Kjo është varfëri karakteri.

Po e them qartë: jam distancuar prej kohësh nga çdo njeri dhe nga çdo rrugë që nuk më përfaqëson. Ndihma që i kam dhënë dikujt dikur ka qenë njerëzore, por zgjedhjet që ai ka bërë më pas i përkasin vetëm atij.

Askush nuk ka të drejtë ta përdorë emrin tim për alibi, për mbrojtje apo për larje imazhi. Emri im nuk është strehë për askënd që përpiqet të fshehë të vërtetën pas emrit të tjetrit.

Kam heshtur nga dinjiteti, jo nga frika. Por heshtja ime nuk është dobësi. Është refuzim për të rënë në nivelin e atyre që, pasi ushqehen nga mirësia, e kthejnë atë në helm.

Dhe në fund, njeriu nuk bëhet i lig nga mungesa e përkrahjes; ai thjesht tregon atë që ka qenë brenda tij gjatë gjithë kohës.“-shkruan Pacolli.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT