“Nuk dija të qeshja a të qaja!” Dritan Burgija e vlerëson si komunizëm përjashtimin e tij nga PD: Doja që vula të vendosej për Berishën që partia të vihej në shina

Dritan Burgija ka reaguar sërish ditën e sotme në lidhje me largimin e tij nga grupi i këshilltarëve të djathtë të PD-së në Durrës, vendim i papritur për të cilin thotë se e ka marrë vesh përmes raportimeve të bëra në media.
Në një prononcim për A2CNN, Burgija u shpreh se u kap në befasi nga vendimi saqë nuk dinte si të reagonte. Ndërsa shton se pasi lajmi u përhap dhe vendimi për largimin e tij u vulos ai e mori si sportivitet këtë ndryshim, duke theksuar se asgjë nuk mundet t’i zerojë kontributet e tij ndër vite në këtë parti.
“U njoha nga mediat me lajmin. Nuk dija të qeshja a të qaja kur mora vesh lajmin. E mora me sportivitet sepse e njoh veten dhe nuk ka shans askush të më zerojë kontributet në Partinë Demokratike” tha Burgija në lidhje me largimin e tij nga PD.
Ndërsa shtoi se ai ka punuar shumë që vula për largim nga PD-ja t’i vendosej Sali Berishës, që sipas tij partia të merrte drejtimin e duhur e të fitonte meritokracinë. Mirëpo nga PD-ja demorkatët përjashtohen pa arsye dhe fakte, duke e vlerësuar këtë veprim të njëjtë me kohën e komunizmit kur një person dënohej pa e ditur se çfarë faj kishte, sipas Burgijas.
Në përmbyllje të fjalës së tij, Burgija thekson se ai duhet të ishte vënë në dijeni nga dega ose Kryesia në qendër e jo të ballafaqohej me largimin e tij përmes mediave.
Në reagimin e bërë ditën e djeshme në faqen e tij zyrtare në Facebook, Burgija shkroi se vendimi në fjalë tregoi mungesën e burrërisë dhe besës nga Sekretari i Partisë Demokratike, Flamur Noka të cilin e vlerësoi dhe si servil.
Reagimi i plotë i Burgijas: U njoha nga mediat me lajmin. Nuk dija të qeshja a të qaja kur mora vesh lajmin. E mora me sportivitet sepse e njoh veten dhe nuk ka shans askush të më zerojë kontributet në Partinë Demokratike. Kam luftuar shumë që vula t’i shkojë Sali Berishës, jo si person, por që PD-ja të kthehej në shina, të vlerësonte meritokracinë.
Por, sot jemi para faktit që ajo vulë po përdoret për të përjashtuar demokratë pa arsye dhe pa fakte. U kthyem në komunizëm, kur dënoheshe pa e ditur se për çfarë. Minimalisht duhej që të vihesha në dijeni, qoftë nga dega, qoftë nga Kryesia në qendër.