Goditi me shuplakë nxënësin që përshpëriste gjatë orës së mësimit, e pëson mësuesi i fizikës, policia nis hetimet

Policia e Sarandës ka nisur procedimet penale për mësuesin e fizikës i cili para pak ditësh goditi me shuplakë nxënësin e tij gjatë orës mësimore.

Pamjet e qarkulluara në rrjet shfaqën momentin kur mësuesi me iniciale G. N., 58 vjeç godet nxënësin e tij, çka shkaktoi dhe nisjen e procedimeve penale ndaj mësimdhënësit.

Nxënësit të cilët kanë qenë të pranishëm në momentin kur 58-vjeçari ushtroi dhunë fizike ndaj shokut të klasës së tyre janë shprehur se ngjarja ka ndodhur brenda ambientit të shkollës. Goditja me shuplakë ka ardhur pasi nxënësi mësohet se ka qenë duke i pëshpëritur një fjalë në vesh një shoku të tij teksa mësuesi po shpjegonte.

Gjithashtu nxënësit pretendojnë se reagimi i mësuesit ka qenë i menjëhershëm dhe i ashpër, duke kaluar në dhunë fizike ndaj të miturit.

Ditën e sotme Policia e Sarandës njoftoi se kanë nisur procedimet penale për mësuesin që ushtroi dhunë ndaj nxënësit të tij.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin G. N., 58 vjeç, banues në fshatin Velhov, mësues në një shkollë 9-vjeçare në fshatin Finiq, pasi dyshohet se ka keqtrajtuar një nxënës, gjatë orës së mësimit (Rasti u publikua në rrjete sociale)”, thuhet në njoftimin zyrtar të policisë vendore.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT