Shqipëria gati të shpallë Iranin “Sponsor të Terrorizmit” dhe Gardën Revolucionare “Organizatë Terroriste”! Grupi i PS zbardh Rezolutën e Taulant Ballës

Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste ka ndërmarrë nismën për të shpallur Iranin si një shtet sponsor të terrorizmit dhe Gardën Revolucionare të këtij shteti, një organizatë terroriste. Lajmin e jep kreu i grupit, Taulant Balla.
Projekt-rezoluta është depozituar në Kuvendin e Shqipërisë dhe vendi ynë përmes saj rreshtohet krah aleatëve më të mëdhenj ndërkombëtarë, duke e listuar një pjesë të ushtrisë së Iranit si organizatë terroriste dhe Iranin, një shtet që financon terrorizmin dhe përdor mjete terroriste.
“Përmes kësaj Rezolute ne i bëjmë thirrje vendeve demokratike, organizatave ndërkombëtare dhe partnerëve të Shqipërisë që të shqyrtohen masa të koordinuara kundër terrorizmit të sponsorizuar nga shtetet dhe të forcojnë bashkëpunimin ndërkombëtar në luftën kundër këtyre kërcënimeve”, thotë Balla.
Ai shpreson që propozimi i mazhorancës socialiste për këtë Rezolutë të marrë mbështetjen e të gjithë anëtarëve të Kuvendit të Shqipërisë, duke nënkuptuar edhe opozitën, që më pas menjëherë pas miratimit ajo t’i përcillet Qeverisë shqiptare, qeverive aleate, OKB, BBE dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë .
Mesazhi i Taulant Ballës për Rezolutën e propozuar në Kuvend
Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste kam depozituar sot një projekt REZOLUTË të Kuvendit të Shqipërisë “Për shpalljen e Republikës Islamike të Iranit si Shtet Sponsor i Terrorizmit dhe Shtet që përdor mjete terroriste”, si dhe të shpallet menjëherë Garda Revolucionare Islamike (IRGC), si organizatë terroriste.
Përmes kësaj Rezolute ne i bëjmë thirrje vendeve demokratike, organizatave ndërkombëtare dhe partnerëve të Shqipërisë që të shqyrtohen masa të koordinuara kundër terrorizmit të sponsorizuar nga shtetet dhe të forcojnë bashkëpunimin ndërkombëtar në luftën kundër këtyre kërcënimeve.
Duke shpresuar që propozimi ynë për këtë Rezolutë të marrë mbështetjen e të gjithë anëtarëve të Kuvendit të Shqipërisë, kemi kërkuar që menjëherë pas miratimit ajo t’i përcillet Qeverisë tonë, qeverive aleate, Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë përkatës.