Homeland Justice vijon sulmet ndaj Kuvendit të Shqipërisë: Hipokritë, kjo është vetëm maja e ajsbergut të turpit të madh që po vjen

Grupi i hakerëve iranianë “Homeland Justice” ka shpërndarë një tjetër mesazh kërcënues në rrjetin social Telegram, duke pretenduar se ka në dorë komunikimet e disa anëtarëve të Kuvendit të Shqipërisë gjatë muajve të fundit.

Në publikimin e tyre, ata deklarojnë se posedojnë biseda dhe korrespondenca të “anëtarëve të korruptuar të Kuvendit” dhe paralajmërojnë se këto do të ekspozohen, duke shtuar se “turpi do të mbetet përgjithmonë”.

Pas njoftimit fillestar, grupi publikoi edhe materiale të tjera, ku shfaqen dokumente të Kuvendit të Shqipërisë të fshehura në dosje me emra shqiptarë, si dhe citime nga Bibla të shoqëruara me mesazhe kërcënuese.

Në mesazhet e tyre, ata përdorin gjuhë të ashpër, duke i quajtur deputetët “hipokritë” dhe duke paralajmëruar se “kjo është vetëm maja e ajsbergut të turpit të madh që po vjen”.

“Kjo është vetëm maja e ajsbergut të turpit të madh që po vjen. Lidhini këta terroristë të huaj me zinxhirë që të kemi mëshirë dhe t’ju turpërojmë më pak! “Mjerë ju, mësues të ligjit dhe farisenj, hipokritë! Ju jeni si varre të lyer me gëlqere, që duken të bukura nga jashtë, por brenda janë plot me kocka të vdekurish dhe çdo gjë të papastër.” Mateu 23:27-28

Nga komunikimet e publikuara, duket se qëllimi i grupit është të ekspozojë dhe turpërojë institucionet shqiptare, duke i lidhur me akuza për korrupsion dhe mbështetje ndaj “terroristëve të huaj”. Ky është një tjetër episod në serinë e sulmeve kibernetike që Homeland Justice ka ndërmarrë kundër institucioneve shqiptare, duke e mbajtur vendin në qendër të vëmendjes për sigurinë digjitale.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT