“Është krejtësisht ndryshe!” U shpëtua falë organizatës ‘Four Paws’ prej “burgut” në veri të Shqipërisë, ja si duket luani Erion sot

Luani Erion dhe arusha Flora, bënë xhiron e rrjetit në dhjetor të vitit të kaluar pasi u shpëtuan falë organizatës ndërkombëtare “FourPaws” nga “burgu” në të cilin po mbaheshin në veri të Shqipërisë.
Tashmë Erioni ka nisur një jetë të re në Gjermani, pasi bashkë me Florën u transportuan përmes një udhëtimi i cili zgjati katër ditë, ata përshkuan 2 mijë kilometra duke kaluar kufijtë e 7 vendeve, nën shoqërimin e veterinerëve dhe akivistëve të specializuar.
Përmes një postimi në rrjetin social “Instagram” organizata ka bërë përditësimin e gjendjes së luanit Erion, përmes disa fotove të shpërndara. Tashmë Erioni nuk është më ai luani i dobët dhe pa krifë, por përkundrazi ai është duke u rritur ngadalë. Sot, ai është një luan krejtësisht ndryshe, ku ka fituar peshë dhe muskuj të shëndetshëm, dhe po ashtu krifa e tij po rritet për ditë nga pak.
“Ai është i sigurt, kurioz dhe më në fund po përjeton se si duhet të ndihet jeta për një luan” ka shkruar organizata.
Kujtojmë se Luani Erion, 3 vjeç, dhe arusha Flora, 2 vjeçe, u shpëtuan nga organizata ndërkombëtare për mbrojtjen e kafshëve Four Paws, pas ndërhyrjes së Agjencisë Kombëtare të Pyjeve, e cila lokalizoi luanin përmes videove të publikuara në TikTok nga dikush që pretendonte të ishte pronari i tij.
Origjina e tyre mbetet e paqartë, luani Erion dyshohet se është viktimë e trafikut ilegal, ndërsa arusha Flora mendohet se është gjuajtur në natyrë.
Postimi i plotë:
Erioni po shkëlqen në diell!
Luani ynë i bukur 3-vjeçar po lulëzon në Strehën e Kafshëve të Egra TIERART (@tierart.ëildtierstation) — dhe sinqerisht, nuk mund të ngopesh me të.
Shikojeni atë krifë!
Po rritet ngadalë, duke i dhënë atij modelin më të lezetshëm të flokëve si të luanit të vogël. Por nuk është vetëm krifa e tij që po ndryshon…
Kur Erioni mbërriti në mesin e dhjetorit 2025, pasi u shpëtua nga robëria private e paligjshme në Shqipëri, gjendja e tij e dobët tregoi historinë e jetës që kishte duruar. Ai ishte nën peshë, i stresuar dhe mezi kishte krifë.
Sot, ai është një luan krejtësisht tjetër.
Erioni ka fituar peshë dhe muskuj të shëndetshëm, gëzofi i tij shkëlqen përsëri dhe “mini krifa” e tij po i del në pah. Ai është i sigurt, kurioz dhe më në fund po përjeton se si duhet të ndihet jeta për një luan.
Asgjë nga kjo nuk ndodhi rastësisht.
Është rezultat i durimit, kujdesit të përkushtuar dhe ofrimit të shtëpisë së përshtatshme për speciet që ai gjithmonë e meritonte.
Erioni është provë e gjallë e asaj që është e mundur kur një kafshë më në fund ka mundësinë thjesht… të jetë.