Afrim Krasniqi zbulon “lajthitjen” e radhës me Fjalorin e ri: Sigurimi paraqitet si organ që mbron shtetin nga keqbërësit, ligji shqiptar e cilëson “strukturë kriminale” (ABSURDI)

Studiuesi dhe politologu i njohur, Afrim Krasniqi denoncon një tjetër rast absurd dhe fyes në Fjalorin e ri të Gjuhës Shqipe, për një term që lidhet me famëkeqin Sigurim i Shtetit, të periudhës së diktaturës hoxhiste.
Siç tregon ai, hartuesit e fjalorit të ri përpiqen ta rehabilitojnë këtë strukturë kriminale, duke e nderuar dhe duke i dhënë shpjegim pozitiv, konkretisht si një “organ shtetëror që mbronte shtetin nga keqbërësit”.
Pavarësisht se prej 35 vitesh Shqipëria jeton në një sistem të ri, terma që lidhen me komunizmin vazhdojnë ende të nderohen, ndërkohë që vendet demokratike në Europë pasi kanë dalë nga sistemet totalitare, i kanë cilësuar policitë sekrete fiks ashtu siç ato ishin: struktura që përndiqnin kundërshtarët e regjimit.
“Ligji shqiptar 45/2015 e quan Sigurimin “strukturë kriminale” dhe midis të tjerash kufizon të drejtën e zgjedhjes/emërimit/nderimit për individët që kanë qenë pjesë e Sigurimit të Shtetit, (kriter edhe për disa nga hartuesit e këtij dokumenti), kurse në Fjalorin (e ri) Sigurimi i Shtetit rehabilitohet, paraqitet si strukturë pozitive që duhet nderuar, – “organ shtetëror që mbron shtetin nga keqbërësit dhe ndërhyrjet nga jashtë”, shkruan Afrim Krasniqi.
Studiuesi dhe politologu i njohur thekson se ky rast është absurd dhe fyes, sepse vijon të cilësojë si “Keqbërës” qindra mijëra viktima politike të Sigurimit dhe sistemit totalitar në Shqipëri, – dhe vetë Sigurimi, vijon të quhet strukturë pozitive që mbrojti atdheun nga keqbërësit!
Afrim Krasniqi ka denoncuar vazhdimisht shpjegimin e termave të ndryshëm në Fjalorin e ri të Gjuhës Shqipe, duke kërkuar edhe depolitizim të tij, – dhe rastet janë marrë menjëherë në shqyrtim nga grupi i hartuesve e janë rregulluar.
Lexoni shënimin e plotë të studiuesit Afrim Krasniqi:
Kur apelova kolegët për depolitizimin e Fjalorit kisha dhe kam motiv të fortë profesional; sepse aty gjenden terma, shpjegime dhe referime që i përshtaten një sistemi tjetër nga ai ku zyrtarisht është Shqipëria prej vitit 1991. Janë shumë terma, vetëm një pjesë e vogël e tyre janë rishikuar, pjesa më e madhe mbeten të njëjta edhe pas “konsultimit publik”. Ja një prej tyre që është familjar për të gjithë dhe aktual edhe për memorien aktuale: Sigurimi i Shtetit.
Në çdo fjalor në vendet demokratike “Sigurimi“ (si STAS, Securitate, etj) dhe modelet e njëjta konsiderohen polici sekrete të regjimeve ish komuniste me funksion kryesor survejimin, kontrollin, shtypjen dhe persekutimin e kundërshtarëve të regjimit.
– Në Rumani “Securitate” shpjegohet “polici sekrete e regjimit komunist në Rumani (1948–1989), një aparat i fuqishëm sigurie që ushtronte mbikëqyrje të gjerë dhe represion politik për të ruajtur pushtetin e shtetit. Ajo u bë simbol i kontrollit totalitar, përmes rrjeteve të informatorëve, përgjimeve dhe ndjekjes së kundërshtarëve”;
– Në RFGJ (DDR) policia sekrete STASI shpjegohet “policia sekrete e Republikës Demokratike Gjermane (RDGJ), që veproi gjatë periudhës komuniste si instrument i sigurisë dhe represionit politik. Ajo u identifikua me mbikëqyrjen masive, rrjetet e informatorëve dhe kontrollin e rreptë mbi shoqërinë”.
– Në Platformën e Sigurimit (1977) në Shqipëri ai konsiderohej “armë e fuqishme e diktaturës së proletariatit të udhëhequr nga Partia për të dërmuar rezistencën e mbeturinave të klasave shfrytëzuese të përmbysura” dhe mision kryesor ishte mbrojtja e PPSH, udhëheqjes, sistemit komunist e rendit socialist.
Ligji shqiptar 45/2015 e quan Sigurimin “strukturë kriminale” dhe midis të tjerash kufizon të drejtën e zgjedhjes/emërimit/nderimit për individët që kanë qenë pjesë e Sigurimit të Shtetit, (kriter edhe për disa nga hartuesit e këtij dokumenti), kurse në Fjalorin (e ri) Sigurimi i Shtetit rehabilitohet, paraqitet si strukturë pozitive që duhet nderuar, – “organ shtetëror që mbron shtetin nga keqbërësit dhe ndërhyrjet nga jashtë”!
Absurde dhe fyese. “Keqbërës”, vijojnë të quhen edhe në 2026 disa qindra mijëra viktima politike të Sigurimit dhe sistemit totalitar në Shqipëri, – dhe vetë Sigurimi, vijon të quhet strukturë pozitive që mbrojti atdheun nga keqbërësit!!