Komuniteti Mysliman del me qëndrim zyrtar: Dënojmë me vendosmëri lëndimin e besimtarëve te Xhamia e Namazgjasë, po falnin namazin e Teravive

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka dalë me qëndrim zyrtar në lidhje me ngjarjen që ndodhi mbrëmjen e djeshme në Xhaminë e Namazgjasë, ku Policia akuzohet se ka hedhur gaz lotsjellës që ka lënduar besimtarët, ndërkohë militantët e PD akuzohen se kanë hedhur fishekzjarre.
Në momentin kur ka ndodhur incidenti, besimtarët po falnin namazin e Teravive dhe ndodheshin në ambientet e xhamisë për të kryer ritet e tyre fetare në paqe dhe qetësi, duke mos ndikuar fare në protestë.
“Në këtë kuptim, dënojmë me vendosmëri incidentin e ndodhur më 20 shkurt 2026 pranë Xhamisë së Namazgjasë, ku besimtarë të pafajshëm u lënduan pa asnjë shkak”, thotë deklarata.
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka qenë gjithmonë një faktor i matur dhe i përmbajtur në qëndrimet dhe reagimet e tij publike. Megjithatë, kjo maturi nuk duhet të keqinterpretohet si tolerim i shkeljes së të drejtave dhe lirive kushtetuese të besimtarëve tanë, vijon ajo.
“U bëjmë thirrje të gjithë aktorëve të përfshirë që të tregojnë maturi, përgjegjësi dhe vetëpërmbajtje, në mënyrë që veprimet e tyre të mos cenojnë të drejtat dhe liritë e besimtarëve tanë apo të çdo qytetari tjetër”, thekson KMSH.
Është e paqartë ajo që ka ndodhur mbrëmjen e djeshme te Xhamia e Namazgjasë, pasi besimtarët dhe lidershipi i Partisë Demokratike kanë akuzuar Policinë e Shtetit se ka hedhur sasi të mëdha gazi lotsjellës, i cili ka përfunduar në xhami dhe ka lënduar besimtarët.
Ndërkohë, kryeministri Edi Rama dhe ministrja Albana Koçiu kanë akuzuar militantët e Partisë Demokratike se kanë qenë ata që kanë hedhur fishekzjarre në drejtim të Xhamisë së Namazgjasë, gjatë përshkallëzimit të protestës së djeshme.
REAGIM ZYRTAR DATË 21 SHKURT 2026 – Komuniteti Mysliman i Shqipërisë
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka ndjekur me vëmendje ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme pranë Xhamisë së Namazgjasë, në një kohë kur besimtarët po falnin namazin e Teravive.
Shprehim indinjatën tonë të thellë për lëndimin e pajustifikuar të besimtarëve, të cilët ndodheshin në ambientet e xhamisë për të kryer ritet e tyre fetare në paqe dhe qetësi.
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka qenë gjithmonë një faktor i matur dhe i përmbajtur në qëndrimet dhe reagimet e tij publike. Megjithatë, kjo maturi nuk duhet të keqinterpretohet si tolerim i shkeljes së të drejtave dhe lirive kushtetuese të besimtarëve tanë.
Në këtë kuptim, dënojmë me vendosmëri incidentin e ndodhur më 20 shkurt 2026 pranë Xhamisë së Namazgjasë, ku besimtarë të pafajshëm u lënduan pa asnjë shkak.
U bëjmë thirrje të gjithë aktorëve të përfshirë që të tregojnë maturi, përgjegjësi dhe vetëpërmbajtje, në mënyrë që veprimet e tyre të mos cenojnë të drejtat dhe liritë e besimtarëve tanë apo të çdo qytetari tjetër.