“Një grua e pengoi Evën të kthehej”, Gledis Nano flet për operacionin në Siri: Suksesi i takon dajës së saj, gjendja në kufi është shumë e tensionuar! Çfarë shkoi keq në 2020

Ish-shefi i Antiterrorit që shkoi në vitin 2020 në Siri dhe shpëtoi prej ferrit xhihadist disa shqiptarë, mes tyre Endri Dumanin, kryepolici Gledis Nano ka treguar se gjashtë vite më parë ata tentuan të shpëtonin edhe motrën e tij, por ajo u pengua nga një grua shqiptare.
“E penguan të kthehej. Emanuela Daci e pengoi (gruaja e Almir Dacit). As ajo vetë nuk u kthye refuzoi të riatdhesonim dhe fëmijët e saj. Ajo pengoi të gjithë që mundi duke i zhvendosur nga vendi ku ne ndodheshim”, ka thënë ai.
Në një intervistë për Top Channel, ish-kryepolici i Shqipërisë ka treguar se operacioni për shpëtimin e Evës ka qenë shumë kompleks dhe i vështirë, por sipas tij, suksesi i takon dajës, Xhetan Ndregjoni.
“Në gjykimin tim është një operacion shumë i vështirë për shkak të periudhës kur është ndërmarrë. Situata e sigurisë në Sirinë Veri-Lindore është shumë e tensionuar. Dhe mendoj se peshën kryesore për suksesin e këtij operacioni e ka daja i Evës”, është shprehur Gledis Nano.
Si ish-drejtues i Antitetrrorit, ai thekson se kthimi në familje nga ferri xhihadist nuk është fundi, por fillimi i një rrugëtimi të gjatë për Evën, sepse ajo do të duhet të rehabilitohet sërish në shoqëri, për të jetuar e lirë.
“Do të kryhet një ekzaminim mjekësor, i shëndetit mendor dhe vlerësim psikologjik. Do të shihet niveli i shkollimit dhe më pas do të nisë një program i dedikuar. Në këtë program do të qëndrohet derisa të vlerësohet nga ekspertët e fushës së sa zhvillim ka pasur ky person”, ka përmbyllur Gledis Nano.