Presidenti serb shkon i alarmuar në Konferencën e Mynihut, Vuçiç: Jemi të rrezikuar nga aleanca Kosovë, Shqipëri dhe Kroaci

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç është shprehur se është shumë i shqetësuar për aleancën mes Kroacisë, Kosovës dhe Shqipërisë. Duke folur para gazetarëve në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Mynih, ai tha se ende nuk e di përse po krijohet një aleancë ushtarake mes Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit.
Ai paralajmëroi se kjo është arsyeja pse Serbia do të investojë më shumë në mbrojtje, ndaj sipas tij, në vazhdim “30, ndoshta deri në 40 për qind” e prodhimit ushtarak do të destinohet drejtpërdrejt për Serbinë.
“Me formimin e një aleance ushtarake të Kroacisë me Prishtinën dhe Tiranën, ne jemi seriozisht të rrezikuar dhe do të merremi me këtë çështje me shumë seriozitet. Së shpejti do të marr pjesë në kolegjiumin e Shtabit të Përgjithshëm dhe të Ministrisë së Mbrojtjes [të Serbisë] dhe do të vizitoj të gjitha fabrikat e industrisë ushtarake. Do të investojmë një shumë të madhe shtesë të parave në fabrikat e industrisë ushtarake”, është shprehur Aleksandër Vuçiç.
Në mars të vitit të kaluar, Kosova, Shqipëria dhe Kroacia nënshkruan një deklaratë bashkëpunimi në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Në paktin mbrojtës thuhet se tri shtetet do të bashkëpunojnë për rritjen e sigurisë dhe stabilitetit në Evropën Juglindore.
Ministrat e mbrojtjes të tri vendeve mbajtën një takim më herët gjatë muajit shkurt, ku diskutuan për zbatimin e kësaj deklarate. Ndërkaq, pas një takimi mes gjeneralëve të ushtrive të tri shteteve të mbajtur më 11 shkurt, Kosova, Shqipëria dhe Kroacia do të zhvillojnë stërvitjen e parë të përbashkët gjatë këtij viti.
Këtë deklaratë për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes, presidenti serb e ka përshkruar si “një aleancë ushtarake dhe sulmuese kundër serbëve dhe Serbisë”.
Aleksandër Vuçiç po merr pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih, e cila është një nga mbledhjet më të rëndësishme ndërkombëtare gjeopolitike të vitit. Në konferencë marrin pjesë qindra udhëheqës dhe politikanë nga e gjithë bota, në mesin e tyre edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Ndërkohë, nga Shqipëria do të ishte kryeministri Edi Rama por ai nuk ka udhëtuar drejt Gjermanisë.