Çlirimi i Shkupit dhe ngritja e Flamurit Kombëtar nga Bajram Daklani më 12 gusht të vitit 1912
Që nga marrja e vendimit për luftë të përgjithshme, forcat kryengritëse shqiptare deri në fillim të gushtit të atij viti do të çlironin shumicën e fshatrave dhe qyteteve gjithë andej vilajetit të Kosovës dhe më gjerë.Pas shumë përpjekjesh të pa suksesshme të elitës së atëhershme politike dhe intelektuale shqiptar për të arritur krijimin e një shteti kombëtar në hapësirat e katër vilajeteve të banuara nga shqiptarët dhe pranimin e autonomisë së këtij shteti nga ana e Perandorisë turke, nga 21 deri më 25 maj të vitit 1912, nën udhëheqjen e Hasan Prishtinës, do të organizohej Kuvendi i Junikut, ku në marrëveshje edhe me Ismail Qemalin dhe miratimin e udhëheqësve kryesor të kryengritjes, Bajram Curri, Isa Buletini, Bajram Daklani e shumë të tjerë, do arrihej vendimi për kryengritje të përgjithshme kombëtare.Ndaj, që nga marrja e vendimit për luftë të përgjithshme, forcat kryengritëse shqiptare deri në fillim të gushtit të atij viti do të çlironin shumicën e fshatrave dhe qyteteve gjithë andej vilajetit të Kosovës dhe më gjerë.Kurse më 9 gusht të vitit 1912, krerët e kryengritjes nën udhëheqjen e Hasan Prishtinës, do ti dorëzonin edhe një Memorandum komisionit të qeverisë perandorake turke, me një ultimatum 48 orësh,për pranimin e kërkesave të arsyeshme të shqiptarëve para se ta çlironin Shkupin.Por pasi që qeveria turke edhe pas kalimit të këtij afati,nuk kishte dhënë përgjigje, luftëtarët shqiptar të grumbulluar në Ferizaj, përgatiteshin për çlirimin përfundimtar të Shkupit, kryeqytetit të Kosovës.Për këtë qëllim,më 11 gusht nga Gjakova në Ferizaj kishte arritur edhe Bajram Daklani me luftëtarët e tij si njëri ndër udhëheqësit kryesor të luftës nga Krasniqja e Reka, i cili bënte pjesë në grupin e rangut të prijësve madhor të kryengritjes së përgjithshme kombëtare.Si pjesëmarrës aktiv dhe strateg i shumë betejave të mëdha të zhvilluara gjithandej trojeve tona etnike, ai me 200 bashkëluftëtarët e tij trima,që me 12 gusht të vitit 1912,nga Ferizaj do të futej triumfalisht në kryeqytetin e sapoçliruar të Kosovës në Shkup ku sipas gazetës “Shkupi” të datës 19 gusht të vitit 1912, pas 500 vjetësh sundimi turk, Bajram Daklani i pari do ta ngrinte lartë dhe me krenari, Flamurin Kombëtar Shqiptar.dërsa Hasan Prishtina me bashkëluftëtarët e tij dhe udhëheqësit e kryengritjes; Bajram Currin, Isa Buletinin, Idriz Seferin, Mehmet Derallën, etj.,ditët në vijim do të arrinin edhe ata në Shkup, ku do të vërshonin mbi 30 mijë luftëtarët shqiptar nga të gjitha anët, megjithëse shumica nga ta pa armatim apo vetëm me nga një kobure në brez.Pas çlirimit të Shkupit, si kryeqytet i vilajetit të Kosovës, Udhëheqja Shqiptare e luftës do t`i shkarkonte të gjithë qeveritarët dhe administratorët turq, si në Shkup ashtu edhe në qytetet e tjera të çliruara shqiptare kudo, duke liruar nga çdo funksion edhe përkrahësit e mbetur të perandorisë së shuar turke.Kurse Bajram Curri me të arritur në Shkup, pas marrjes së postë-telegrafit, ai me bashkëluftëtarët e tij, do të lironin nga burgu edhe rreth 1000 të burgosurit shqiptarë,të mbyllur nga turqit,që para çlirimit të vendit.
Me ngritjen e Flamurit kombëtar më 12 gusht të vitit 1912, nga Bajram Daklani në Shkup dhe çlirimin e tij si kryeqytet i Kosovës, jo vetëm se do trazohej e gjithë qeveria xhonturke e Perandorisë së atëhershme osmane, por kjo ngjarje historike për kombin shqiptar, do ta rrëzonte edhe vet kryeministrin e atëhershëm turk, Seid Pasha-in nga pushteti perandorak.Kurse pas ardhjes së kryeministrit të ri, zhagitja disavjeçare e kërkesave shqiptare, më në fund më 18 gusht të vitit 1912 do të plotësohej por vetëm pjesërisht, pasi që edhe tani Qeveria Turke deklarohej zyrtarisht se i pranonte 12 por jo të 14 kërkesat, sa ishin të parashtruara, sipas dokumentit të njohur me emrin “14 pikat e Hasan Prishtinës” që kërkonin kryengritësit shqiptarë.Mjerisht, aty mungonin dy kërkesat kryesore dhe më të rëndësishmet për mundësinë e shtetformimit nga ana e shqiptarëve, të cilat dallonin nga të tjerat, dhe kishin domethënie të veçantë për ardhmërinë e Shqipërisë dhe Kombit tonë në përgjithësi. Megjithatë, Perandoria Turke as në momentet e fundit të ekzistencës së saj në Ballkan, nuk donte ti njihte Shqiptarët si Komb dhe as ta pranonte Shqipërinë si shtet, madje as si përcaktim hapësinorë e gjeografik në territorin e saj, për të cilat kryengritësit gjatë gjithë kohës kishin luftuar dhe ishin përpjekur, në mënyrë që të arrihej edhe ndërkombëtarisht pranimi i kombit dhe shtetit të tyre kombëtar.Mospranimi i emërtimit të trojeve shqiptare si Shqipëri dhe mosnjohja e popullit tonë si komb-shqiptar, jo vetëm se ishin shumë dëshpëruese për kryengritësit, por ato vinin në pikëpyetje edhe ekzistencën e shqiptarëve në Ballkan. Madje, për fat të keq, as gëzimet e fitoreve të mëdha dhe liria e arritur pas 500 vitesh robërie, nuk kishin domethënie të plotë dhe as ishin jetëgjata për kombin tonë të vuajtur.Bile menjëherë pas çlirimit të Vilajetit të Kosovës dhe ngritjes së Flamurit Kombëtar në Shkup, pranimi i vetëm 12 nga 14 pikat për autonominë e Shqipërisë etnike, nga Perandoria Turke do të mjaftonte për Fuqitë e Mëdha që të parashtronin kërkesat e tyre të vendosura për çarmatosjen e menjëhershme dhe të detyruar të shqiptarëve, ndalimin e të gjitha aksioneve luftarake dhe përfundimin sa më parë të kryengritjes së armatosur për mbrojtjen e tokave të tyre me armë.Kjo gjë, vetëm pakë kohë më vonë do të vërtetohej se ishte parapërgatitje e dorëzimit pa luftë të trojeve tona kombëtare, vendeve pushtuese ballkanike të cilat me pëlqimin dhe miratimin e Fuqive vendimmarrëse të kohës,do të pushtonin dhe copëtonin pjesë të mëdha të kombit dhe atdheut të shqiptarëve.fotoShqiptarë të kapur robër nga turqit dhe në pranga dërgohen në burg nëpër rrugët e Shkupit në vitin 1912.Kryengritja e shqiptarëve (arnautëve) kundër sundimit osman. Në foto shihen shqiptarët të lidhur me zingjirë. Këto arrestime pasuan mbas Kryengritjës së Shqiptarve për shkak të paknaqësive të krijuar nga sundimi Osman.Kryengritjët Shqiptare janë udhëhequr nga Isa Boletini, Bajram Curri, dhe Idriz Seferi, ku kulmuan me çlirimin e Shkupit në vitin 1912.

Ata, heroizmin e tyre më së miri do ta dëshmonin me flijimin në luftë jo vetëm të vullnetarëve por edhe të gjithë efektivit të luftës së Batalionit shqiptar kundër mese 126 mijë ushtarëve të armatës së parë serbe që kishin mësyrë Kumanovën, pas tërheqjes nga fronti të armatës turke të vardarit.Sipas shkrimeve të historisë sonë kombëtare, për mbrojtjen e Kumanovës vetëm Idriz Seferi, kishte arritur që në rajonin e Moravës dhe Karadakut ti mobilizonte mbi 6 000 luftëtarë shqiptar, të cilët edhe pse të lënë vetëm, të tradhtuar dhe mbetur pa armatim e municione nga ushtria turke, për 7 ditë e net me radhë do të luftonin heroikisht me gjithë çka kishin dhe mundnin,ku shumë nga ta edhe do të binin trimërisht duke mbrojtur vendin nga pushtimet serbe.Këto vërtetohen edhe nga dëshmitë e shumta të oficerëve turq nga luftërat ballkanike, të cilët shprehen se shqiptarët edhe pas tërheqjeve të herëpashershme të ushtrive turke nga frontet e luftës, jo vetëm se nuk do të tërhiqeshin edhe ata nga vend-luftimet por për mbrojtjen e atdheut të tyre, do të luftonin me aq trimëri, sa që vetëm për mbrojtjen e Kumanovës, do të vriteshin mbi 10 mijë mbrojtës vullnetar të vendit, me ç`rast me nder dhe heroizëm të rrallë e të pa parë deri atëherë në frontet e luftës, do të binte edhe i gjithë efektivi i batalionit të ushtarëve shqiptar.Ndaj kjo dihet botërisht dhe nga të gjithë se Kumanova, në duart e pushtuesve serb, do të binte vetëm pas rënies së mbrojtësve shqiptar, pasi që ushtria turke, ishte larguar që më parë nga fronti i luftës, kështu që me 26 tetor të vitit 1912 edhe Shkupi do të binte pa asnjë kundërvënie të ushtrisë perandorake turke, ngase shqiptarët e ç`armatosur dhe të braktisur nga kjo ushtri e cila u kishte premtuar atyre ndihmë dhe armatime nuk kishin më mundësi që duarthatë të organizonin ndonjë qëndresë të fortë luftarake.Madje në rrethinat e Shkupit në nëntor të vitit 1912, derisa ata përpiqeshin për riorganizimin e rezistencës kombëtare atje, do të ziheshin me tradhti edhe prijësit e qëndresës shqiptare si Hasan Prishtina, Idriz Seferi, Nexhip Draga e disa udhëheqës të tjerë të lëvizjes kombëtare shqiptare, nga të cilët për lirimin e tyre ushtria pushtuese serbe do të kërkonte nënshkrimin e një DEKLARATE për “Besnikëri ndaj Serbisë”.Por heronjtë e luftës dhe qëndresës së trojeve tona për asnjë kusht as çmim, madje as me kërcënimin për jetë që e përdorte kundër tyre Serbia, nuk do të pranonin një poshtërim të tillë nga pushtuesi të cilin do ta luftonin gjatë gjithë jetës, ndaj edhe u dërguan dhe mbyllën në burgun e Beogradit, ku vetëm pas ndërhyrjeve të fuqishme të Anglisë dhe Austro-Hungarisë e ndonjë diplomacie tjetër evropiane, ajo do të detyrohej që me 16 maj të vitit 1913, ti lironte ata.Pas burgosjes së prijësve kryesor të qëndresës kombëtare, vërshimet e ushtrive pushtuese ballkanike, pothuajse më nuk kishin të ndalur. Madje ushtria serbe nën udhëheqjen e gjeneralit gjakatar Jankoviq, jo vetëm se kishte hyrë thellë në tokat shqiptare por ai mu në pragun e planifikuar të shpalljes së pavarësisë kombëtare, me shpejtësi do t`i afrohej Shqipërisë së mesme dhe Elbasanit, i cili kishte mësyrë Durrësin dhe planifikonte daljen në bregdetin shqiptar e me këtë edhe pengimin e tërësishëm të shpalljes së Pavarësisë së Shtetit Shqiptar.Ndaj si pasoj e këtyre zhvillimeve dramatike për vendin dhe kombin, plani për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë në Durrës, jo vetëm se do të anulohej, por tanimë rrezikohej më shumë se asnjëherë më parë edhe vet shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, sikur Isa Buletini dhe gjeneral Mehmet Deralla, me bashkëluftëtarët e tyre të mos arrinin që në momentet e fundit, të ndalonin turrin e marshimit të ushtrisë serbe dhe bllokimin e saj në mes të Drinit të Bardhë dhe Drinit të Zi, për ç`shkak, heroi Isa Buletini i zënë nga luftimet, nuk mundi që më 28 Nëntor, por një dit pas aktit të shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, të arrinte në Vlorë.
Autori: Gani Qarri /ZgjohuShqiptar.info