Blerja e banesave, bankat dhanë 50% më shumë kredi në korrik

Pas një nisjeje të ngadaltë të vitit, kredia për shtëpi po merr sërish hov. Dhe sinjali vjen pikërisht në kulmin e sezonit të pasurive të paluajtshme. Referuar shifrave të Bankës së Shqipërisë, vetëm në korrik, bankat dhanë rreth 7 miliardë lekë kredi të re për blerje banese, ose 50% më shumë se në të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

Kjo e ndryshon edhe bilancin e shtatë muajve të parë. Nga janari në korrik janë dhënë 41.9 miliardë lekë kredi për shtëpi, duke e kthyer rritjen vjetore në 2.4%, pasi gjashtëmujori ishte mbyllur në rënie. Pra, pas një periudhe frenimi, bankat dhe huamarrësit po rikthehen në treg.

Struktura e kredisë tregon një tjetër ndryshim të rëndësishëm, shtëpitë po blihen gjithnjë e më shumë me kredi në lekë. Rreth 85% e kredisë së re për banesa këtë vit është dhënë në monedhën vendase. Kredia në lekë është rritur me 21%, ndërsa ajo në euro ka rënë me 45%.

Kjo lidhet edhe me kostot më të favorshme të financimit në lekë, por edhe me kufizimet më të forta për huamarrjen në valutë.

Në sfond, Banka e Shqipërisë evidenton se kredia hipotekuese është rritur me 16.1% në gjysmën e parë të vitit, ndërsa bankat kanë lehtësuar standardet për kreditë e blerjes së banesave. Të dhënat tregojnë kështu se, pavarësisht masave të reja të kontrollit të rrezikut, kredia nuk po tërhiqet nga tregu i banesave. Përkundrazi, po rikthehet si një nga motorët e financimit të blerjes së tyre.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT